Shkrimtarja shqiptare, pjesë e kolanës ndërkombëtare të librit për fëmijë

25

Shkrimtarja për fëmijë, Rovena Rrozhani, është bërë pjesë e kolanës ndërkombëtare “Awake not Sleeping” reimagining fairy tales for a new generation”.

Libri i publikuar më 18 nëntor nëpërmjet një aktiviteti të mbajtur në Stamboll, është iniciativë e Zyrës Rajonale të UN Women për Evropë dhe Azinë Qendrore dhe përmban 28 përralla të ilustruara për fëmijë. Libri synon të ndryshojë mënyrën se si shoqëritë mendojnë për rolet, të drejtat dhe potencialin e grave dhe vajzave duke risjellë përrallat e vjetra në një narracion të ri dhe krijues.

Rovena Rrozhani është përzgjedhur nga mbi 100 shkrimtare nga 23 vende nga Europa dhe Azia Qendrore. Ajo u përzgjodh me përrallën “Hana, vajza që kapi diellin”, një histori e bukur dhe e rishkruar sipas motiveve popullore shqiptare, që sjell në një dritë, rrëfim dhe ngjyra të reja, historinë e vajzës së pasqyrbërësit, e cila shpëtoi fshatin nga mjerimi dhe errësira.

Përveç si gazetare dhe kritike filmash, Rovena Rrozhani është e njohur për publikun e vogël për krijimet e saj origjinale dhe që e kanë bërë një ndër emrat më premtues për të vazhduar traditën e pasur të krijuesve të letërsisë për fëmijë.

Firmën e saj mbajnë shumë krijime të njohura për lexuesit e vegjël si ”Po vjen Babagjyshi”, “Lëndina e arushëve” dhe “Fani në kërkim të dritës” me të cilin fitoi çmimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe çmimin “Bukinist” për vitin 2020. Ajo është ideuese dhe autore e librit të sapo botuar “Rozi dhe domatja kërcimtare”, ku për herë të parë realizohet një ndërthurje midis rrëfimit dhe recetave të gatimit, sjellë nga Dhurata Thanasi Daneri, krijuesja e markës “Luga e Argjendtë”.