Shqipëria hapet komplet, nga 22 qershori rinisin fluturimet e rregullta ndërkombëtare

436

Duke nisur që nga data 22 qershor, ditën e hënë, rinisin fluturimet e rregullta ndërkombëtare për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.

Në kuadër të iniciativave për ringritjen e industrisë së aviacionit civil në Shqipëri, pas vështirësive që rezultuan nga situata e paprecedent e COVID- 19, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së bashku me Autoritetin e Aviacionit Civil është duke ndërmarrë hapat e nevojshëm për rifillimin gradual dhe të sigurt të aktivitetit të transportit ajror.

Në një deklaratë për mediat, MIE thekson se “prioritet i veprimtarisë në kontekstin në fjalë është rivënia në funksionim e transportit ajror në përputhje me rregullat parandaluese dhe mbrojtëse të sigurisë së shëndetit, hartuar sipas rekomandimeve dhe udhëzimeve të organizmave ndërkombëtarë të aviacionit civil dhe atyre të shëndetit publik”.

“Duke mirëkuptuar e mbështetur dëshirën dhe nevojën e shoqërive ajrore që kanë skeduluar fluturime të rregullta ndërkombëtare për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, për të nisur sa më shpejtë aktivitetin e tyre, dëshirojmë të konfirmojmë se të gjitha përpjekjet po ndërmerren nga autoritetet shtetërore shqiptare për të mundësuar rifillimin e fluturimeve në mënyrë të koordinuar dhe të organizuar me shtetet partnere me të cilat zbatojmë Marrëveshje të Shërbimeve Ajrore”, apelon MIE.

Duke konsideruar deklaratën e Komisionit Europian të datës 11 qershor 2020, sipas së cilës rekomandohet ndër të tjera heqja e kufizimeve të udhëtimit për Shqipërinë, Bosnje- Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, duke filluar nga 1 Korrik 2020 si dhe duke konsideruar angazhimet e disa shteteve të tjera të Zonës Shengen për të ndjekur të njëjtën qasje, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton se duke filluar nga data 22 qershor 2020, do të fillojnë veprimet për operimin e fluturimeve të rregullta ndërkombëtare, në destinacionet, sipas skedulave që do të miratohen dhe komunikohen nga Autoriteti i Aviacionit Civil në vijim.

Përgjatë javës që fillon në datë 22 qershor 2020, për skedulat e aktivizuara, shoqëritë ajrore duhet të marrin masa e nevojshme për të mundësuar rezervimin e fluturimeve për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.