Shqiptarë që kanë mbetur në histori/ Gjon Gazulli, shkencëtar i madh i Rilindjes Evropiane

230

Gjon Gazulli ishte vëllai i Pal Gazullit dhe Andrea Gazullit. Në dokumentet e kohës : “Johannes Gini Gazulo, artium doctor, astronomus praeclarissimus” (Gjon Gjin Gazulli, doktor i shkencave dhe astronom shumë i çmuar) që është edhe profesor i Universitetit Al’Bo’ të Padovës, ku sot ndodhet fakulteti i juridikut.

Gjon Gazulli ka qenë një ndër figurat më të shquara të shkencës europiane të shekullit XV. Veprimtaria e tij shtrihet në atë hark kohor që lidh dy prej epokave më të mëdha të kohës: humanizmin dhe Rilindjen Evropiane. Duke marrë parasysh shtrirjen e veprimtarisë së tij: astronomi, matematikë, fizikë, filozofi, diplomaci, arte, mund të thuhet pa frikë se ai ka qenë një enciklopedi e kohës së vet.

Pa dyshim, dy fushat ku ai shkëlqeu më shumë janë astronomia dhe diplomacia. Që të mund të hidhet dritë mbi jetën dhe veprën e tij, është e domosdoshme të gjurmohen arkivat e kohës: të Padovës, të Budapestit, të Venecies e sidomos të Raguzës (Dubrovniku i sotëm – ku ai jetoi e punoi më gjatë). Janë veçanërisht me vlerë seritë e mëposhtme arkivore: Diversa Notarie; Acta Concili Rogatorum; Acta Concili Minoris; Lettere et commissione Levantis; Testamenta Notarile etj.

Por edhe arkivat private kanë vlerë të madhe. Ndër to mund të përmendim: Arkivin e Fondeve Private Bassegli-Gozze. Duke qenë se Gazulli ushtroi veprimtarinë e tij si në Itali, në Raguzë, ashtu edhe në shumë vende të tjera evropiane ku e çoi detyra e tij diplomatike e shkencore, të dhëna të vlefshme jep edhe literatura e kohës mbi këtë enciklopedi shqiptare. Rreth veprimtarisë së tij shkencore gjendemi në një vështirësi tani për tani të pakapërcyeshme: duhet të kënaqemi sa na japin autorë të tjerë për të, veçanërisht Grmek, Boshkoviç, Juriç, Musantius, Appendini (sidomos ky), Johannsis de Monte Regio, Brotto – Zonta, etj; pse libri i tij për të cilin Jan Pannoni, oborrtar i mbretit të Hungarisë Matia Korvini i shkruan: “……ai libri i Juej ku do mendime të kapërthyeshme të astrologëve të vjetër… i gjetëm të shtjellueme në dritë të diellit, fatkeqësisht nuk më ka ra në dorë e duhen kërkime të posaçme, ndoshta në Budapest”.

Gjon Gazulli si diplomat:

Aftësitë e rralla të Gjon Gazullit janë shpalosur jo vetëm në lëmë të shkencave të përpikta, por edhe si një prej diplomatëve më të shquar të kohës. Siç dihet, popujt ballkanikë po përpiqeshin t’i bënin ballë pushtimit osman. Ishin kohë të vështira jo vetëm për Gadishullin, por rrezikoheshin edhe pjesë të tjera të Evropës, e këta, më shumë se për të mbështetur luftën e popujve ballkanikë, për interesa të veta, u bënë aktivë në mbështetjen e këtyre përpjekjeve. Qendrat kryesore të një diplomacie aktive ishin aso kohe Roma e Budapesti.

Misioni i parë diplomatik i dokumentuar i Gazullit është udhëtimi i tij për në Romë që të takonte mbretin e Hungarisë Sigmundin (paraardhësin e Korvinit) me rastin e kurorëzimit të tij mbret prej Papës. Ky mision, sipas vetë dokumenteve raguziane, i ishte besuar më të shquarit të asaj Republike e me autoritet edhe ndër hungarezë. Misioni i tij i dytë është ai i vitit 1435 në Italinë e Jugut e menjëherë më  pas në Slloveni.

Në ato vite, bashkëpunimi mes princave shqiptarë e Sigmundit të Hungarisë ishin dendësuar shumë. Ka qenë pikërisht Gazulli ai që lehtësoi rikthimin e shumë shqiptarëve në Atdhe me qëllim forcimin e rezistencës antiosmane, e kjo veprimtari vazhdoi me udhëtime të shpeshta në Romë, Firence, Sienë, Ljubjanë etj.

Duke qenë i përpirë në këto veprimtari të dendura diplomatike, Republika e Raguzës e liroi atë nga detyra e Rektorit dhe emëroi në vend të tij Pal Gazullin, vëllain e tij, që cilësohet ndër dokumente “magister, prudens et literatus vir”, që do të thotë se kishte kryer edhe ai studime universitare, si dhe identifikohet si vëllai i “magister Johannis Gaxuli”. (Kujtojmë se, si Pali, ashtu edhe vëllai tjetër Andrea, do të përmenden më vonë si bashkëpunëtorë të afërt të Kastriotit). Po afrohej “Stina e madhe e Kastriotit” e vëllezërit Gazulli, Pali, Andrea, Dhimitri, e mbi të gjithë Gjoni, do të kishin një vend të rëndësishëm në atë “stinë”.

Nga viti 1443 Raguza shërbeu si qendër informacioni për Evropën e krishterë mbi sa po ndodhte në Shqipëri ku kishin filluar në masë kryengritjet antiosmane me në krye Gjergj Kastriotin. Gazulli, si diplomat i sprovuar, u angazhua pothuaj tërësisht në çështjen shqiptare. Në vitet e para ai bëri sa askush tjetër për tërheqjen e vëmendjes për çfarë po ndodhte në Shqipëri duke shfrytëzuar udhëtimet e tij të shumta diplomatike për llogari të Raguzës. I gjendur nën trysninë e rrethimeve të njëpasnjëshme turke, Kastrioti u kërkoi ndihmë si Raguzës, ashtu edhe Venedikut, Romës, Napolit e Hungarisë. Me përjashtim të kësaj të fundit, të parët u mjaftuan me ndihma financiare apo edhe me ndonjë armatim, por jo me një bashkëpunim konkret, pse nuk donin të hynin në luftë të drejtpërdrejtë me Turqinë. Në gjithë këtë veprimtari diplomatike, dy ishin “ambasadorët” shëtitës më të rëndësishëm të Kastriotit, vëllezërit Gjon e Pal Gazulli, ky i fundit sidomos me përfaqësimin e Kryezotit të Shqipërisë pranë Papatit, por edhe si “këshilltar” i Gjergjit tonë, aq sa qe quajtur “mendja e Kastriotit”.

Por Gjoni, siç do ta tregonte fundi jo i largët i jetës së tij, pak e nga pak u tërhoq nga diplomacia për arsye shëndetësore e moshe, por shumë historianë janë të mendjes se u tërhoq edhe nga dëshira e zjarrtë t’i çonte deri në fund studimet e tij shkencore.

Ishte pikërisht kjo periudhë kur doli më në dukje roli i Pal Gazullit si diplomat. Duhet thënë se aty nga fillimi i viteve ’50 e deri sa vdiq, Pal Gazulli ishte ai që mbajti lidhjet e Shqipërisë me Hungarinë, Raguzën e me mbarë Gadishullin Apenin.

Artikulli është ndërtuar nga libri “Letërsia e Hershme Shqipe” e Fatbardha Hoxhës dhe artikuj të tjerë historik!