Si e mori Nënë Tereza shtetësinë shqiptare, si sot 32 vjet më parë

44

Si sot më 14 shkurt të vitit 1990 mori nënshtetësinë shqiptare Shenjte Nënë Tereza.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu lindi më 26 gusht 1910 në Shkup. Gonxhja ishte fëmija i tretë që vinte si fryt i kurorës së vënë mes Nikollë Bojaxhiut nga Mirdita dhe Drane Barnajt nga Gjakova.

Mësimet e para dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Pasionet e saj vajzërore ishin mësuesia, të shkruarit, diktimi i poezive dhe muzika, të cilat të marra në ansambël pasqyrojnë ndijimet e thekshme që e prinë drejt vokacionit sipëror, fesë.

Më 26 shtator 1928, Nënë Tereza do ta linte Shkupin për të nisur misionin e saj fisnik në shërbim të të pamundurve. U vendos në Kalkutë të Indisë, ku fillimisht qe mësuese, sikurse dëshironte hershëm. Më pas, u caktua drejtoreshë e shkollës së atyshme të vajzave.

Në kuadër të shërbesës së përkushtuar ndaj nevojtarëve, themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951). Për këtë përulësi të pashembullt, do të vlerësohej në vitin 1979 me çmimin Nobel për Paqe, prej nga ku u mësua faqe globit kombësia e saj shqiptare.
Në pasqyrën përmbledhëse të veprimtarisë së “shqiptares trupvogël” në Kalkutë në mesin e viteve ‘80, përmblidheshin: kujdestaria e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, mjekimi i 960,000 të sëmurëve në 213 dispanseri, trajtimi i 47,000 viktimave të lebrozës në 54 klinika, përkujdesja ndaj 3,400 të moshuarëve të braktisur dhe birësimi i 160 fëmijë ilegjitimë e bonjakë.