Si po i zgjerojnë fermerët sipërfaqet e tokave të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike

14

Fermerët në të gjithë vendin po zgjerojnë sipërfaqet e tokave të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike, nga eksporti i të cilave sigurojnë të ardhura ekonomike më të larta.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural bën të ditur se përmes mbështetjes financiare nga Skema Kombëtare në Bujqësi dhe programi IPARD II është rritur në 2080 ha sipërfaqja e mbjellë me bimë mjekësore dhe aromatike, në këto vitet e fundit.

Sipas AZHBR-së, kërkesa në rritje e tregjeve të huaja për këto bimëve, që sigurojnë edhe fitime më të mëdha për familjet fermere, i ka nxitur ata për t’u marrë me këtë aktivitet.

AZHBR bën të ditur se zgjerim po marrin edhe investimet në qendra të grumbullimit dhe përpunimit të këtyre bimëve, që bëjnë mbledhjen e të gjithë prodhimit nga fermerët dhe i eksportojnë ato jashtë vendit.
Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural ka mbështetur 36 investime në 18 bashki të vendit për zhvillimin e sektorit të bimëve mjekësore.

10 prej këtyre investimeve janë startup-e që kanë hapur 555 vende pune të reja dhe kanë dhënë impakt në rritjen e të ardhurave familjare dhe rritjen e eksporteve.

Ndërsa Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi dhe Zhvillimit Rural për vitin 2021, financon deri në 100 mijë lekë fermerët që mbjellin bimë mjekësore e aromatike në vlerën 200 000 lekë për hektarë.

Në Shqipëri ka mbi 7 mijë lloje bimësh, të cilat formojnë thuajse 32 % të të gjithë florës së Europës.

Eksporti i këtyre bimëve ka rritur të ardhurat për familjet e zonës dhe ka nxitur punësimin.

Sektori i bimëve mjekësore dhe aromatike ka krijuar mundësi punësimi për rreth 100 mijë familje që jetojnë në zonat rurale të vendit. Ndërsa gjeneron rreth 18 milionë euro nga eksporti, i listuar si sektori i dytë më i madh në eksportin bujqësor.