Si të jeni të parët në menaxhimin e punës nga shtëpia

234

Me përhapjen e teknologjisë dhe hedhjen në treg të mjeteve të sofistikuara të punës, po rritet gjithnjë e më shumë edhe numri i punonjësve që punojnë nga shtëpia, nga internet-kafetë, etj., duke i shndërruar këto ambiente në zyrat e tyre virtuale.

Sipas një studimi të kryer nga Workfront, në korrik të vitit të ardhshëm, numri i punonjësve që do të punojnë nga zyrat e tyre virtuale do të arrijë në 52 për qind.

Nëse për një numër të madh punonjësish, të punuarit nga zyrat e tyre virtuale është një avantazh i madh në shumë drejtime, për drejtuesit, kjo është një prej sfidave më të reja.

Sipas një studimi të kryer në tetor të 2016-s, nga Universiteti Brigham Young, ishin të shumta kompanitë të cilat po kalonin drejt online, duke e konsideruar atë si një element shumë të rëndësishëm të suksesit të kompanisë së tyre.

Por një prej rezultateve befasuese të po të njëjtit studim ishte se edhe pse të punuarit nga zyrat virtuale ka shumë avantazhe për punonjësit, ishin po këta punonjës të cilët ishin shprehur se ata favorizonin më shumë drejtuesit me të cilët përballeshin dhe komunikonin drejtpërdrejt, në krahasim me drejtuesit e online, sepse sipas tyre drejtuesit kanë autoritet më të madh kur i ka ballë për ballë, ndërsa pas email-it duken të gjithë njësoj.

Ky rezultat erdhi sepse pjesa më e madhe e punonjësve mendojnë se drejtuesi i duhur është ai që shkon në kompani dhe shikon se si shkojnë punët dhe jo t’ia besojë çdo gjë online-it, duke qenë se kjo gjë mund të shkaktojë probleme në komunikim dhe shumë çështje të zgjaten më shumë seç duhet si pasojë e keqkuptimeve që mund të lindin.

Më poshtë do të lexoni disa këshilla sesi ta shmangni situatën e mësipërme:

Komunikimi faktori më i rëndësishëm

Edhe pse shumë njerëz mendojnë se komunikohet më pak kur punohet nga zyrat virtuale, e vërteta është krejt e kundërta. Punonjësit komunikojmë shumë më shumë në zyrat online, sepse komunikimi është një prej faktorëve më të rëndësishëm për mbarëvajtjen e punës online.

Sipas një studimi të kryer në tetor të këtij viti nga Interact, 68 për qind e punonjësve u shprehën se në kompanitë e tyre kishte një mungesë të theksuar komunikimi, edhe pse shkonin për ditë në punë dhe qëndronin aty me orar të plotë.

E kundërta ndodhi kur një pjesë e tyre filluan të punonin nga shtëpia. Edhe pse nëpërmjet email-eve ata filluan të komunikonin më shpesh si me kolegët e tyre ashtu edhe me drejtuesit.

Mirëbalancimi i çdo situate

Sipas studimit të Universitetit Brigham Young, punonjësit që punonin nga zyrat e tyre tradicionale ndiheshin më të rëndësishëm sesa ata që punojnë nga zyrat e tyre online. Prandaj nëse një drejtues e ka stafin e tij të ndarë në dy kampe, ai duhet të tregohet shumë i kujdesshëm në balancimin e çdo situate, në mënyrë që të mos krijohen konflikte. Nëse këto konflikte rriten, gjëja më e mirë e mundshme është që ato të sqarohen sa më parë sepse nëse kalon kohë, ato vetëm do të rriten dhe situata do të përkeqësohet më shumë.

Roli kyç i drejtuesve

Në rastin kur punonjësit janë të ndarë në dy kampe, gjërat mund të ndërlikohen shumë lehtë. Është detyrë e drejtuesit që të balancojë punën ndërmjet punonjësve dhe të mos e lërë situatën të përkeqësohet. Sipas studimit të kryer në tetor të 2015-s dhe të publikuar në Wrike, punonjësit që punonin në zyra tradicionale e konsideronin veten më të rëndësishëm sesa ata që punonin nga shtëpia, gjë kjo që mund të shkaktojë keqkuptime të shumta. Prandaj është detyrë e drejtuesit që të zgjidhë çdo keqkuptim dhe t’i mbajë punonjësit në një linjë dhe të mos bëjë diferencime ndërmjet atyre që punojnë nga shtëpia dhe atyre që shkojnë për ditë në punë.

Burimi: Revista Monitor