Strehimi: Shqipëria së shpejti qendër referimi për të gjithë rajonin

235

big_mzhu-33Kombet e Bashkuara zgjerojnë projektet për të mbështetur zgjidhjen e problemeve të strehimit në Shqipëri. Së shpejti në Shqipëri do të ngrihet një qendër e posaçme e Kombeve të Bashkuara, e cila do të shërbejë si pikë kryesore kontakti për të gjitha vendet e rajonit, lidhur me çështjen e strehimit të grupeve vulnerabël.
Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, e bëri me dije këtë fakt pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Europën (UNECE), Christian Friis Bach.

Takimi u mbajt në ditën e fundit të HABITAT 3, organizuar në Quito nga Kombet e Bashkuara në datat 17 – 20 tetor 2016.

Në këtë konferencë botërore për zhvillimin e qëndrueshëm urban dhe strehimit, u miratua Agjenda e Re Urbane. Shqipëria ishte një ndër 167 vendet pjesëmarrëse që firmosën këtë agjendë, e cila është dokument gjithëpërfshirës dhe orientues për 20 vitet e ardhshme, me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm urban të qyteteve në mbarë botën.
Në 4 ditët e “Habitat 3”, morën pjesë mbi 30 mijë persona, prej të cilëve 10 mijë përfaqësues ndërkombëtarë.