STUDIM/ Çfarë është paraja? Ja tre funksionet kryesore që kryen

407

PO.AL do të sjellë 5 mësime rreth parasë. Sot po publikojmë mësimin e parë! Çfarë është paraja?

Me siguri që ti e di se çfarë është paraja; përmes saj ne të gjithë dimë se sa kushtojnë gjërat.

Përveç kësaj, ti ke përdorur para mëse një herë për të blerë qumësht apo gazetën e babait. Nëse ke patur para të tuat, do të kesh pyetur veten se çfarë mund të bësh me to: t’i harxhosh menjëherë apo t’i rezistosh tundimit dhe t’i ruash në arkën tënde të kursimit që, më vonë, të blesh diçka që kushton më shumë, si për shembull një video-lojë.

Siç e sheh, paraja kryen tre funksione:

Njësi matëse: Përcakton çmimet e produkteve dhe shërbimeve

Është e vështirë të shesësh e të blesh pa ditur më parë se sa kushtojnë produktet. Këtë funksion të rëndësishëm e kryen paraja. Falë saj ne dimë se sa kushton video-loja që na pëlqen dhe mund të kuptojmë nëse është e lirë apo e shtrenjtë. Falë parasë ne mund të blejmë sende të ndryshme dhe të përfitojmë shërbime.

Çmimet shprehen në monedhën e secilit vend. Në Shqipëri monedha vendase është Leku.
Kështu, edhe çmimi i video-lojës, në çdo dyqan të vendit tonë, do të jetë në lekë. Por, nëse
video-lojën do të duash ta blesh në një nga ato vende të Bashkimit Evropian të cilat kanë
si monedhë të tyren euron, do të të duhet ta paguash në këtë monedhë. Në Sh.B.A, çmimi
do të jetë në dollarë amerikanë dhe në Japoni, në jen. Në të gjitha këto raste, ty do të të
duhet që të llogarisësh nëse video-loja është më e shtrenjtë në lekë, euro, dollarë apo jen… E vështirë apo jo?

Mjet shkëmbimi: Blen produkte dhe paguan shërbime

Kartëmonedhat dhe monedhat e çdo vendi shërbejnë për të blerë produktet dhe
shërbimet që na nevojiten. Avantazhi kryesor i monedhës zyrtare qëndron në faktin se të
gjithë janë të detyruar ta pranojnë në shkëmbim të një shërbimi apo produkti.

Ruajtëse e vlerës: Kursen sot, për të blerë ose investuar nesër

Nëse ke vendosur të kursesh para në arkën tënde të kursimit apo në bankë, është shumë e rëndësishme që çmimet e produkteve të mos rriten shumë. Nëse ndodh kjo, sado që të kursesh, nuk do të mund të grumbullosh kurrë paratë e nevojshme për të blerë ato që të nevojiten. Për këtë është e nevojshme që vlera e parasë të jetë sa më e qëndrueshme, që do të thotë që çmimet e produkteve dhe shërbimeve të mos rriten e rriten pa pushim. Kur kjo ndodh, ne themi se ka inflacion. Kur në një vend ka inflacion të lartë, familjet varfërohen, pasi rritja e vazhdueshme e çmimeve nuk i lejon që me paratë e tyre të blejnë mallrat për të cilat kanë nevojë.

Dhe përgjithësisht, është detyra e bankave qendrore të luftojnë kundër inflacionit. Ato përpiqen të mos lejojnë rritjen e përgjithshme të çmimeve, në mënyrë që paratë e qytetarëve të mos e humbasin vlerën e tyre. Kur qytetarët kanë besim në vlerën e monedhës së tyre, pra kur nuk kanë frikë se paraja do ta humbasë vlerën, ata vendosin më mirë se çfarë do të bëjnë me paratë e tyre në të ardhmen.