Syri i Kaltër, projekti për ta kthyer në destinacion eco-turistik

24

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura synon që të kthejë Syrin e Kaltër në një destinacion eco-turistik, përmes një projekti që, së pari do të përqendrohet në infrastrukturën për të aksesuar parkun.

Projekti parashikon disa elemente që nisin me rikonstruksionin e rrugës ekzistuese nga degëzimi i rrugës nacionale Gjirokastër – Sarandë deri te diga ekzistuese ku është vendosur pika e kontrollit dhe biletaria për të hyrë në park.

“Kjo ndërhyrje parashikon rikonstruksionin e rrugës ekzistuese me gjerësi 6 metra duke përmirësuar nënshtresat e saj si dhe riveshjen me tapet asfaltobetoni. Rikonstruksioni i rrugës se brendshme ekzistuese të Parkut duke përmirësuar dhe duke riparuar nënshtresat e tabanin e rrugës, duke vendosur tombino në vendet ku ka nevojë për shkak të vijave të ujit që e përshkojnë atë.

Siç përshkruhet edhe në vizatimet teknike në krah të korsisë së automjeteve janë korsia e biçikletave dhe ajo e këmbësoreve, të cilat janë të shtruara me rezinë korsia e vrapimit dhe me asfaltobeton korsia e biçikletave” thuhet në dokumente.

Një tjetër element ku do të ndërhyhet është ai për rikonstruksionin e disa pasarelave ekzistuese në brendësi të parkut për ti kthyer ato të përdorshme nga vizitorët. Ndërhyrja konsiston kryesisht në zëvendësimin dhe përforcimin e elementeve metalike të tyre si dhe zevendësimin e dyshemesë me dërrasa në vendet ku është dëmtuar.

Projekti parashikon ndërtimin e disa belvedereve ku e para do të jetë në afërsi të burimit të syrit të kaltër, që konsiston në krijimin e një platforme me strukturë mbajtëse metalike të veshur me dysheme druri dhe parmakë xhami, nga ku vizitorët do të mund të shijojnë bukuritë e burimit të Syrit të Kaltër.

Tre belvedere të tjera me strukture druri në tre pika të përshtatshme përgjatë shtigjeve që do të hapen (sipas përshkrimeve të mëposhtme) , për krijimin e mundësisë së shëtitjeve këmbësore të vizitoreve.