Dita Ndërkombëtare e Maceve, një ditë e veçantë për adhuruesit e këtyre kafshëve në mbarë botën. Nga Japonia e deri në Turqi, ka shumë destinacione të njohura për dashamirësit e maceve, ku ato janë pjesë e kulturës dhe përditshmërisë.
Ndër vendet më të spikatura janë Aoshima në Japoni, i njohur si “Ishulli i Maceve” me më shumë mace sesa njerëz, dhe Stambolli, ku macet enden lirshëm nëpër qytet. Po ashtu, në Key West të Floridës, shtëpia e Ernest Hemingway strehon një koloni macesh të veçanta, ndërsa në Hawaii ekziston një strehë për mbi 600 mace.
Në Evropë, Amsterdami ka kafene të dedikuara për macet, Venecia i ka përdorur ato që nga Mesjeta për të mbajtur minjtë larg, dhe në Chefchaouen të Marokut macet bëhen pjesë e peizazhit piktoresk. Këto destinacione ofrojnë përvoja unike për ata që duan të kombinojnë udhëtimin me dashurinë për macet.
Referenca: ata.gov.al