“Të rinjtë të lenë celularin e të marrin në duar dy dalta”/ Njihuni me 75 vjeçarin që bën art me drurin: Nuk e bëj për fitim, por për pasion

12

Çdo ditë, 75 vjeçarin Zaim Rexha e gjen në tregun industrial të qytetit të Kukësit, duke gdhendur në dru pjesë dekorative për veshje dhe zbukurime të ndryshme.

Në treg të gjithë e njohin mjeshtrin e palodhur, që me duart e tij i jep formë drurit duke realizuar prej rreth 40 vitesh dekoracione të formave dhe përmasave nga më të ndryshmet. Thotë se punon për pasion dhe jo për fitim.

“Thjesht për kalimin e kohës dhe gjej një qetësi të jashtëzakonshme. Nuk i shes. Po të fillosh ti tregtosh, dashje pa dashje do të fillosh ta nënvlerësosh punimin pasi do të rrijë mendja te fitimi dhe nuk do t’i bësh me cilësi. Nuk do të kënaqesh me atë punë që bën vetë” rrëfen Zaimi.

Një herë të vetme ka shitur punimet e tij duke marrë shpërblimin e parë e të fundit të jetës. Ndodhi në fillim vitet ’90. Në ish-godinën e turizmit në Kukës drejtori i kërkoi të realizonte punime për banakun e turizmit e pëlqeu gjithashtu punimet që Zaimi kishte në duar.

Punimet e tij u zhdukën bashkë me gjithçka tjetër brenda godinës. Turizmi i ri u ndërtua në vitin 1988, në një kodër dominuese të qytetit. U cilësua si një prej objekteve më të bukura në vend. U hap në vitin 1991 dhe u shfrytëzua deri në 1996. Vitet me mëpasme janë dëshmitarë të rrënimit të tij.

Por varësja e rrobave e Zaimit duket se nuk pati të njëjtin fat. Ai do ta rigjente në një punishte të vogël ku riparoheshin mobilje të ndryshme. Me fanatizëm ka ruajtur punimet dhe skicën e parë megjithëse thotë se nuk i vjen dore të pikturojë.  Ka ekspozuar vetëm një herë punimet para viteve ’90 për të cilat është vlerësuar nga artistët dhe autoritet e asaj kohe.

Nuk ka bërë shkollë por zanatin e ka mësuar në kohën kur punonte si kaldaist në ish-ndërmarrjen e përpunim drurit ose siç quhej ndryshe ndërmarrja “Sharra”. Duke na treguar punimet e tij tek vendi ku tregton artikuj industrial, Zaimi dashje pa dashje hapi një ekspozitë të vogël. Me detaje tregon çdo punim artistik të bërë me dorë dhe me dalta të cilat thotë se i ka bërë vetë, ndërsa ndjen dhimbje se disa punime të realizuara prej tij janë shkatërruar bashkë me ish-godinën e “Turizmit të Ri” në Kukës.

Më e veçanta por edhe e rrallë si punim është një radio “Iliria” e veshur e gjitha me dru. Zaimi thotë se e ka bërë pas viteve ‘80 dhe dëgjonte radio në punë.

“Kaseta e radios m’u dëmtua dhe vendosa ta bëja me dru të gdhendur”, thotë Zaimi duke treguar historinë e radios së famshme para viteve 90-të.

Të rinjtë i këshillon të lenë celularin e të marrin në duar dy dalta:

“Çdo njeri, sidomos të rinjtë sa luajnë dy orë ne telefon, t’i gjejne dy dalta,  të ulen diku në një vend, thjesht edhe në ballkon dhe të provojnë te gdhendin avash-avash. Do të ndjejnë kënaqësi e para, e dyta do të mbajnë trurin e qetë.”/Report TV