Teknologji e re për ata që i merr gjumi në zyrë

210

Nuk është e pazakontë që punonjësit e mbingarkuar të Japonisë të dremisin mbi tryezën e punës. Në fakt, ekziston një fjalë japoneze “inemuri” që do të thotë “i pranishëm duke fjetur”. Por falë bashkëpunimit midis dy prodhuesve kryesorë të vendit, dremitjet e pasdrekës në zyrë, mund t’i përkasin tashmë së kaluarës.

Prodhuesi i kondicionerëve Daikin dhe ai i pajisjeve elektronike NEC po vënë në provë një sistem që përdor kamera të bashkangjitura në kompjuterët e punonjësve për të monitoruar lëvizjet e ndryshme të kapakëve të syrit. Kur njeh shenja përgjumjeje, sistemi ul temperaturën e dhomës.

Ky koncept u zhvillua pasi një studim paraprak u përpoq të gjente mënyrën më efektive për t’i mbajtur njerëzit të vëmendshëm, ose të paktën zgjuar.

Studiuesit u kërkuan pjesëmarrësve të provës që të zgjidhnin probleme të thjeshta matematikore në kushte të ndryshme, ku përfshihej ulja e temperaturës së dhomës me disa gradë, rritja e ndriçimit dhe spërkatja e aromave të ndryshme në mjedis.