Teknologji/ Komunikim me anë të dritës mund të zëvendësojë komunikimin përmes frekuencave

63

Në shumë pajisje që komunikojnë përmes frekuencave, valët radiofonike janë rruga e përdorur për shkëmbimin e informacionit. Por, kur niveli i tij rritet, rrjedhimisht procesi ngadalësohet.

Duke pasur parasysh trafikun e rënduar të shkëmbimit të të dhënave, studiuesja e shkencave kompjuterike, Xia Zhou po përdor një tjetër mënyrë për kalimin e informacionit: rrezet e dritës.

Në këtë nismë, Xia mbështetet nga Fondacioni Kombëtar amerikan i Shkencës dhe një ekip i Kolegjit “Dartmouth”, që po zhvillojnë teknologjinë e quajtur “Li-Fi” për të transmetuar të dhënat duke përdorur pajisjet e ndriçimit në shtëpitë tona.

Falë saj, mjafton të montohet një modul i vogël dhe çdo llambë LED mund të kthehet në pajisje komunikimi në distancë. Por, teknologjia “Li-Fi” kufizohet nga pamundësia për të përçuar muret, që do të thotë se çdo llambë duhet të jetë e lidhur individualisht me internetin, e kjo do të rriste shumë koston.

Shpresat janë, megjithatë, që në të ardhmen llamba të lidhura me internetin të vendosen në çdo ndërtesë.