”The Telegraph”: Shqipëria si Amalfi

387

Në një shkrim të botuar sot nga gazeta britanike The Telegraph, në versionin e saj online, dhe që mban firmën e Thomas Harding, kjo e fundit e ka krahasuar Shqipërinë me bregun piktoresk të Amalfit, pranë Napolit, i njohur përveçse për peizazhin e rrallë të tij, gjithashtu edhe për luksin e personave të famshëm që e frekuentojnë.

“A është Shqipëria përgjigja e Evropës Lindore ndaj Bregut të Amalfit?”, – ka qenë ky titulli i përdorur nga autori, i shoqëruar me foton e zonës së Borshit, ku spikasin ullinjtë që paraprijnë vijën e bardhë gurore të plazhit dhe më pas ujin blu të kristaltë.

Autori e rrëfen kështu udhëtimin e tij nga Gatwick për në Tiranë, së bashku me gruan dhe fëmijët e tij. 

“Bregu i parë ndodhej në jug pas pesë orësh udhëtim me makinë. Por fatmirësisht, Korfuzi ndodhet vetëm pak kilometra larg Shqipërisë, dhe ka një aeropor që mbulohet më së miri nga easyJet, dhe ka plot tragete, që të çojnë për në portin shqiptar të sarandës. Destinacioni ynë i fundit, fshati i vogël i Dhërmiut, ndodhej 90 minuta prej aty me makinë, duke kaluar nëpër malet që ngrihen mbi det. Vendi duket virtualisht i pandryshuar që prej shekullit të 19-të, kur Lord bajroni udhëtoi për atje. Enver Hoxha, i cili udhëhoqi si diktator që prej 1944-s deri kur vdiq më 1985-n, e shpalli bregun zonë ushtarake, në të cilën nuk lejohej askush.

Në fshatin e vjetër të Qeparoit që ndodhet mbi det, u vendosëm në vilën tonë, të cilën e zgjodhëm nga një agjenci shqiptare. Për shumë arsye turizmi është ende në fazën e tij foshnjarake ende…

Kaluam disa ditë të kënaqshme të izoluar nëpër plazhet e Qeparoit, Dhërmiut dhe Borshit. Një ditë ne e thyem monotoninë me një udhëtim për në gjirin e Jalës, ku Albania Adventure çon familjet me gomone përgjatë një bregu që ka shpella sekrete dhe plazhe të paprekura, e gjithë kjo për 30 euro Ndalesat kishin emra të epokës komuniste, “plazhi një”, “shpella katër”, por bukuria ishte e paçmueshme”.

Hardings rrëfeu bisedën që familja e tij pati me një çift italianësh që ndodheshin në tryezën pranë tyre në një restorant dhe që vinin rregullisht në Shqipëri. “Frutat e detit janë kaq të lira dhe të shijshme”, thanë ata. Por ishin tepër të surprizuar që na gjetën ne aty: “Nuk kemi parë asnjëherë më parë një familje angleze këtu”, thanë ata. “përse keni ardhur në Shqipëri?”.

Sepse ajo është në njëfarë mënyre ndryshe në Evropë. Nuk është bregu i Amalfit, por ka një sharm të madh të sajin, dhe ka patur fat që ka qenë kaq e izoluar. Mendoj se pafajësia e Shqipërisë do të shërbejë si trampolinë kur sekreti i saj të zbulohet”.

Familja Hardings mori një vilë me qira për një javë duke paguar 700 paund, ata paguan gjithashtu 308 paund për avionin nga Korfuzi në Britani dhe 22 euro për person për tragetin Korfuz-Sarandë.