Thirrje për aplikim në programin OFIÇINA

284

OFICINA-imageOFIÇINA mbështet sipërmarrësit e rinj të zhvillohen duke sjellë teknologji dhe biznese komercialisht të qëndrueshme në tregun lokal dhe atë global, si dhe kontribuon drejtpërdrejt në krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë. OFIÇINA është një projekt i përbashkët i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqiperinë – Soros dhe Institutit Harry T. Fultz.

OFIÇINA është një iniciativë strategjike në mbështetje të tranzicionit shqiptar drejt një ekonomie të bazuar në dije. Misioni i saj është investimi në zhvillimin e një industrie të re të teknologjisë, në mënyrë që të formësohet një qendër rajonale dhe një përqëndrim kompanish të ndërlidhura midis tyre të cilat bashkëpunojnë dhe nxisin njëkohësisht konkurencën.

15 aplikimet me të mira do të përzgjidhen për të kaluar në një fazë të dytë prezantimi përpara një paneli ekspertësh. Fituesit e fazës së prezantimit do të fitojnë të drejtën për tu përfshirë në programin e akselerimit OFIÇINA.

Për të gjithë fituesit e programit OFIÇINA do të ofrohen ambiente pune për të zhvilluar biznesin e nisur. OFIÇINA gjithashtu do të ofrojë një program të strukturuar mentorimi nga sipërmarrës të suksesshëm, trajnime në fushën e të bërit biznes, mundësinë e pjesëmarrjes në eventet e ndryshme që do të zhvillohen pranë OFIÇINA-s, si dhe takime të drejtpërdrejta me investitorë potencialë.

Procesi i aplikimit hapet në datën 17/05/2016 dhe do të vazhdojë të jetë i hapur deri në datën 25/06/2016. Preferohet që grupi të jetë i krijuar përpara se ju të paraqisni kërkesën tuaj për aplikim, por gjithsesi nuk do të përjashtohen aplikimet nga sipërmarrës individual, për sa kohë që ata do të jenë të përkushtuar për të ndërtuar një grup pune gjatë programit të akselerimit.

Akseleratori OFIÇINA mirëpret dhe inkurajon aplikantë nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni. Gjithsesi, për lehtësi komunikimi preferohet të paktën një anëtar i grupit të komunikojë gjuhën shqipe.  Nuk ka asnjë tarifë për të marrë pjesë në programin OFIÇINA.

OFIÇINA do t’iu ofrojë mundësinë për të prezantuar biznesin përpara investitorëve, por nuk garanton përfitimin e fondeve nga investitorët.

 

Si mund të aplikoni për programin e akselerimit OFIÇINA?

Fillimisht duhet të navigoni në faqen zyrtarë të akseleratorit të biznesit OFIÇINA (www.OFIÇINA.al) dhe të klikoni në menunë APPLY. Bëni regjistrimin e profilit tuaj duke plotësuar formularin që do të shfaqet kur të klikoni në menunë REGISTER.

Pasi të keni përfunduar me regjistrimin e profilit tuaj, mund të logoheni brenda faqes te menuja LOGIN nëpërmjet e-mailit të regjistruar dhe fjalëkalimit të zgjedhur nga ju.

Hapi i dytë pas logimit është ai i krijimit të një Startup-i të ri duke klikuar te menuja MY STARTUPS dhe pastaj në linkun +Create a new Startup. Ju lutem plotësoni formularin i cili do t`iu shfaqet në ekran.

Pasi të keni përfunduar me regjistrimin e Startup-it tuaj ju mund ta plotësoni edhe me pjesëtarë të tjerë në startup duke klikuar te startup-i juaj tek butoni ADD MEMBER (Pjesëtarët e tjerë duhet gjithashtu te kenë regjistruar profilin e tyre ne faqe.

Pasi të keni përfunduar me plotësimin e plotë të Startup-it, ju mund te aplikoni për programin e akselerimit OFIÇINA duke klikuar tek opsioni APPLY dhe duke plotësuar formularin që do t`iu shfaqet.

Për informacione të mëtejshme, kontaktoni në: info@OFIÇINA.al