Tiranë, cirk shëtitës për fëmijët përgjatë 3 muajve

504

Krahas përmirësimit të infrastrukturës në çdo lagje të kryeqytetit, Bashkia e Tiranës po zhvillon aktivitete të ndryshme plot argëtim, zbavitje, dhe lojëra krijuese për fëmijët me qëllim gjallërimin e jetës kulturore duke i dhënë njëkohësisht një dimension të veçantë hapësirave çlodhëse ku ato zhvillohen. Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Cirkun Kombëtar po organizojnë shfaqjen “Fëmijë, po vjen Cirku” në disa nga Sheshet e Reja Rekreative të kryeqytetit dhe në parqet kryesore të tij.

Gjatë muajve Shtator – Nëntor, fëmijët e vegjël të kryeqytetit do të mund të ndjekin kllounët, xhonglerët e akrobatët me numra akrobatikë, ajrorë e zbavitës të cilët do t’i dhurojnë publikut një spektakël të vërtetë. Këto shfaqje, jashtë strukturës së përhershme ku realizohen, do të sjellin argëtim, zbavitje, kreativitet për fëmijët e të gjithë grupmoshave si dhe impakt të drejtpërdrejtë të magjisë së këtij arti te komuniteti.