Turistët e huaj: E duam Gjirokastrën për historinë, kulturën dhe muzetë

4

“E dashuroj Gjirokastrën për arkitekturën e saj të bukur. Kalaja është mahnitëse dhe pamja e luginave është mbresëlënëse”. Kështu u shpreh një turist i huaj që ka vizituar Gjirokastrën.

Një turist u shpreh se “rrugicat e gurta janë shumë dhe jam shumë i dashuruar kryesisht me punimet e gdhendura në dru”.

“Gjirokastra ka disa vende shumë të mira për të konsumuar ushqim, siç janë piceritë,  vendet ku mund të gjesh akullore dhe djath furre si dhe po vazhdove të kesh uri ëmbëlsira tardicionale si akullore dhe trileçe”, tha një tjetër turist.

Një tjetër turist theksoi se “e dua Gjirokastrën për historinë, kulturën, vizitat në muze dhe për njerëzit e saj. Kalova kohë të mrekullueshme në Gjirokastër për shkak të njerëzve”.

“Çdo njeri që takova tregoi mikpritje, ata hapën shtëpitë dhe mjediset e tyre për ne. Muzetë, restorantet, gjithashtu e bënë eksperiencën tonë fantastike”, theksoi një tjetër turist.

Një tjetër turiste tha se “ne jetojmë në Poloni dhe vendi ynë nuk është kaq i bukur sa juaji.Ne kemi provuar musaka, tavë kosi dhe ishin shumë të shijshme”.

“Është një eksperiencë shumë e mirë, qytet shumë i bukur, por ka shumë turistë si unë. Jam shumë e ndjeshme rreth historisë së qytetit. Unë e pëlqej Ismail Kadarenë dhe ishte shumë mirë të zbuloja qytetin e tij dhe të bëja krahasimin rreth letërsisë së tij dhe kulturës së qytetit”, tha një turist.

Turistët vendas e të huaj kanë gjallëruar gjatë këtij viti kalldrëmet e gurta të qytetit të Gjirokastrës, ku qendra muzeale mbetet si përherë destinacioni fillestar, pasi pothuajse të gjithë e nisin vizitën nga kalaja e qytetit.

Që prej janarit deri në fund të gushtit mbi 200 mijë turistë vendas dhe të huaj kanë vizituar Gjirokastrën dhe rrethinat, duke regjistruar ndër shifrat më të larta në vite. Ky sezon veror e ka evidentuar Gjirokastrën si një ndër destinacionet më të kërkuara dhe kryesore për turizmin, jo vetëm në rang kombëtar, por edhe më gjerë.

/ata.gov.al