Ujërat termale të Bënjës, destinacion i preferuar dhe gjatë dimrit

6

Vizitorë të shumtë zgjodhën qytetin e Përmetit dhe thesaret natyrore të tij për të kaluar fundjavën e fundit të janarit.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ujërat termale të Bënjës, me vizitorë.

Vizitorët kanë shijuar gjatë kësaj fundjave pavarësisht temperaturave të ulta vetitë kurative të këtyre ujërave.

Ujërat termale të Bënjës ndodhen rreth 13 km larg qytetit të Përmetit.

Të njohura që në antikitet këto burime sulfurore, që dalin nga një çarje e thellë tektonike, janë të ndryshme e burojnë në të dyja anët e kanionit të Lengaricës.

Çdo burim zotëron veti terapeutike të ndryshme për kurimin e sëmundjeve të lëkurës, stomakut, veshkave, reumatizmës etj.

Ky vend i rrethuar nga një natyrë e paprekur, paraqet një përzierje unike midis historisë aventurës dhe natyrës. Përveç banjave termale atje gjendet edhe kanioni i Lengaricës dhe Ura e Katiut.

/ata.gov.al