Universiteti në Ukrainë krijon Qendrën e Informacionit të Shqipërisë, dërgohen 660 fjalorë dygjuhësh

10
Agjencia Kombëtare e Diasporës në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit me Universitetin Humanitar Shtetëror të Izmailit, nisi drejt Ukrainës dërgesat e 660 Fjalorëve dygjuhësh Shqip-Ukrainisht të botuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën dhe pajisje për Qendrën e Informacionit të Shqipërisë në këtë universitet.
Memorandumi i Bashkëpunimit parashikon krijimin e Qendrës së Informacionit të Shqipërisë në Universitetin Humanitar Shtetëror të Izmailit, me qëllim për të nxitur organizimin e aktiviteteve të përbashkëta në ruajtjen e gjuhës shqipe, kulturës, traditave dhe trashëgimisë kulturore shqiptare në Ukrainë.
Disa nga detyrat e kësaj qendre janë: Organizimi dhe kryerja e eventeve që synojnë forcimin e bashkëpunimit dypalësh, mësimin e gjuhës shqipe, zhvillimin e kulturës dhe traditave kombëtare të popullit shqiptar; informimin e qytetarëve te Ukrainës për ngjarjet kryesore në sferat publike sociale, ekonomike, kulturore, arsimore të Shqipërisë; krijimin e kushteve për studimin e gjuhës shqipe nga studentë, mësues si dhe grupe të interesuara nga jugu i rajonit të Odesës; fillimin dhe realizimin e projekteve të diplomacisë publike dhe kulturore; bashkëpunimin me qendrat e Informacionit të shteteve të tjera në kuadër të projekteve të Universitetit Humanitar Shtetëror të Izmailit; bashkëpunimin me institucionet shqiptare për Diasporën për realizimin e detyrave kryesore dhe misionit të saj, etj.