Vendimi/RTSH, emisione për mësimin e gjuhës shqipe për Diasporën

109

Në mbledhjen e zhvilluar sot Këshilli i Ministrave mori disa vendime, mes tyre edhe një për emisionet për gjuhën shqipe për diasporën. Vendimi ka në thelb prodhimin, transmetimin dhe financimin e emisioneve të posaçme televizive, arsimore dhe kulturore, të dedikuara për diasporën.

Në vendim theksohet se ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Kulturës dhe ministri i Shtetit për Diasporën, brenda fushës së tyre të përgjegjësisë, në bashkëpunim me Radiotelevizionin Shqiptar, të marrin masat e nevojshme për realizimin e emisioneve të posaçme dhe transmetimin e tyre, duke filluar nga viti i ri mësimor 2019-2020.

Vendimi i plotë
1. Prodhimin, transmetimin dhe financimin nga buxheti i shtetit të emisioneve të posaçme televizive, për mësimin e gjuhës shqipe dhe për kulturën shqiptare, të dedikuara për diasporën, si pjesë të programit “RTSH 3”, të Radiotelevizionit Shqiptar (RTSH).

2. Emisioni i posaçëm televiziv për mësimin e gjuhës shqipe prodhohet e transmetohet nga Radiotelevizioni Shqiptar (RTSH) dhe financohet nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

3. Emisioni i posaçëm televiziv për kulturën shqiptare, si prodhim i pavarur i Ministrisë së Kulturës, transmetohet nga Radiotelevizioni Shqiptar (RTSH), me financimin e buxhetit të miratuar për ministrinë.

4. Përmbajtja e programeve të emisionit të posaçëm televiziv për mësimin e gjuhës shqipe do t’u kushtohet interesave të arsimimit për komunitetet shqiptare jashtë vendit, sipas kurrikulës së përbashkët të realizuar për këtë qëllim, në bazë të marrëveshjes me qeverinë e Republikës së Kosovës.

5. Platforma e programeve të emisioneve të posaçme për mësimin e gjuhës shqipe, kulturën shqiptare dhe identitetin kombëtar të përgatitet nga një grup pune ndërinstitucional, që ngrihet me urdhër të Kryeministrit, me përfaqësues të ministrive përgjegjëse për arsimin, kulturën dhe diasporën.

6. Transmetimet e programeve të miratuara do të inkurajojnë mësimdhënien on-line dhe, pas transmetimit periodik në “RTSH 3”, do të vihen në dispozicion të publikut të interesuar pa pagesë.

7. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Kulturës, për prodhimin, transmetimin dhe financimin e emisioneve të posaçme, sipas pikave 1, 2 e 3, të këtij vendimi, të lidhin marrëveshjet përkatëse me Radiotelevizionin Shqiptar (RTSH).

8. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Kulturës dhe ministri i Shtetit për Diasporën, brenda fushës së tyre të përgjegjësisë, në bashkëpunim me Radiotelevizionin Shqiptar, të marrin masat e nevojshme për realizimin e emisioneve të posaçme dhe transmetimin e tyre, duke filluar nga viti i ri mësimor 2019-2020.

9. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Kulturës dhe ministri përgjegjës për diasporën të mbështesin Radiotelevizionin Shqiptar (RTSH) për zbatimin e marrëveshjes me Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) për realizimin, brenda vitit 2019, të programit të përbashkët televiziv mbi bazën e interesave të diasporës shqiptare.

10. Ngarkohen ministri i Shtetit për Diasporën, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.