VIDEO/ Lëshohen në hapësirë satelitët Albania 1 dhe Albania 2, publikohen pamjet

12

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor njoftoi sot nisjen e dy satelitëve Albania 1 dhe Albania 2 nëpërmjet Falcon 9 të misionit Transporter-6, nga Space Launch Complex 40 (SLC-40).

Kontrata e Shërbimit Satelitor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për monitorimin me teknologji të avancuar të territorit të Republikës së Shqipërisë ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit “Satellogic USA Inc., me vlerë 6 milionë dollarë u nënshkrua në fund të muajit shtator të vitit 2022.

Kjo kontratë konsiston në përdorimin ekskluziv të dy satelitëve, për një periudhë tre vjeçare, për monitorimin e territorit të Republikës së Shqipërisë, zhvillimin e kapaciteteve teknike e profesionale të Republikës së Shqipërisë për përdorimin e shërbimit satelitor, përpunimin e Informacionit Gjeohapësinor (GIS), si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj.

Ndër të tjera, ky shërbim do t’ju mundësojë institucioneve përfituese marrjen e imazheve satelitore, të cilat sigurojnë një mbulim gjithëpërfshirës dhe periodik të sipërfaqes tokësore, duke mundësuar përdorime të shumta dhe një mori informacionesh dhe gjeoinformacioni për vendimmarrësit dhe planifikuesit, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, për politika dhe vendimmarrje efektive.