VIDEO/ Rekord i ri i prezencës së pelikanit kaçurrel në Vjosë-Nartë

15

Një numër prej 179 individësh të pelikanit kaçurrel (Pelecanus crispus) u numëruan ditën e sotme në zonën e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë nga kërkuesit.

Ky raportim, përfaqëson numrin më të madh të këtij lloji të numëruar ndonjëherë në një moment të vetëm në këtë zonë. Shifra e mëhershme më e madhe është ajo e vitit 2016, ku një numër prej 146 individësh u raportuan nga Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri.

Kjo shifër përfaqëson 1.5 % të popullatës globale të këtij lloji, sipas të dhënave të fundit të raportuara nga Catsadorakis & Portolou (2017) dhe të përkrahura nga BirdLife International si të dhënat më të përditësuara.

Raportime të tilla, tregojnë edhe njëherë rëndësinë globale që ka zona e mbrojtur Vjosë-Nartë jo vetëm për pelikanin kaçurrel por edhe për shumë lloje të tjera.

Në këtë logjikë, kjo zonë plotëson më së miri, “Kriterin 6” të “Konventës për Ligatinat me Rëndësi Ndërkombëtare”, apo sikurse njihet ndryshe konventa e RAMSAR-it, duke e kaluar me afro 3-fish pragun prej 1% apo prej 65 individësh që nevojitet në rastin e pelikanit kaçurrel. Sikundër për pelikanin kaçurrel, ky kriter plotësohet edhe për lloje të tjera.
Vjosë-Nartës, padyshim duhet të njihet statusi i munguar i Zonës Ramsar, duke u bërë kësisoj ligatina e 5-të me këtë status në Shqipëri.

“Shpendët e Shqipërisë” gjen rastin të shprehë mirënjohjen për institucionet që administrojnë zonën dhe veçanërisht AdZM Vlorë. Në të njëjtën kohë, shprehin mirënjohje dhe për administratën e Kripores së Vlorës, zonë e cila është shndërruar në një prej zonave më të qeta për shpendët në Shqipëri.