(VIDEO) Sekretet e Shqipërisë/ Televizioni izraelit jehonë “vendit të shqiponjave”

108

Televizioni izraelit i bëri një prezantim të shkëlqyer mundësive të shumta që ofron “Vendi i Shqiponjave” për turistët izraelitë.

Televizoni shtetëror izraelit, “Arutz 13” (Kanali 13), në emisionin e tij “Barkod”, përmes një kronike të titulluar “Sekretet e Shqipërisë”, i bëri një prezantim të shkëlqyer mundësive të shumta që ofron “Vendi i Shqiponjave” për turistët izraelitë.

Në kronikën e realizuar, ku në fokus kanë qenë atraksionet turistike qe ofron Tirana dhe Durrësi, si dhe zona bregdetare e Golemit, jepen informacione të shumta mbi çmimet e lira që ofrojne hotelet dhe kuzhina shqiptare dhe ajo mesdhetare, madje gazetarja izraelite ka filmuar edhe brenda kuzhinës.

“Pushimet në Shqipëri janë super të lira”, thuhet në kronikë, teksa jepen edhe referencat e çmimeve në monedhën izraelite, shekel.

Theksi i vihet edhe mundësive që kanë turistët izraelitë për të bërë shoping në qendrat e mëdha tregtare, në dyqanet e të cilave janë të gjitha brendet më të njohura ndërkombëtare të veshjeve, por edhe jetës në Shqipëri.

Në fund të muajit prill nisin edhe fluturimet direkt nga Tel Avivi në Tiranë, tri herë në javë, të cilat përfundojnë në muajin tetor.