Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët kujtoi sot në 99-vjetorin e lindjes, arbëreshin e madh Vinçenx Golletti Baffa, një nga emrat më të rëndësishëm të publicistikës dhe kulturës arbëreshe.
Ai lindi në Çifti (Civita), në provincën e Kozencës, Kalabri në 28 gusht 1924. Në moshë fare të vogël mësoi mjaft mirë latinishten, greqishten e vjetër dhe frëngjishten, nën ndikimin e gramatikës latine, nisi të studiojë me një pasion të veçantë arbërishten e të njihet nga afër me gjuhën shqipe. Studioi në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Romës, duke marrë njohuri edhe në fushën e historisë, të gjuhësisë, si dhe të letërsisë shqipe. Punoi për një kohë të gjatë si mësues privat në shumë lëndë, më pas punoi në bibliotekën qytetare e në kursin e gjuhës italiane në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Universitetit të Frankfurtit, si dhe Hejdelbergut.
Libri “Novellistica italo-albanese” me përralla, tregime dhe anekdota të përmbledhura nga Luca Perrone, nën drejtimin e Koliqit bëhet një shtysë e vërtetë për të, që këto përralla ai vetë t’i rrëfente në një arbërishte shumë më të pastër e më të bukur.
Pati një veprimtari të gjerë publicistike, dhe revista kulturore “Katundi Ynë” (1970) u bë promotori i aktivitetit të tij krijues. Ai botoi “Alfabeti shqip i programuar” më 1977, “Libër këndimi i programuar” më 1981, përshtatur për fëmijë të çdo moshe që njohin alfabetin italian, “Libri im i parë” më 1979, përshtatur për të gjithë fillestarët, si dhe “Antologji e shkurtër me proza argëtuese” dhe “Gjuha jonë me hare” më 1982.
Vinçenx Baffa ka dhënë ndihmën e tij modeste në daljen e disa revistave shqiptare, si “Qëndresa” në Zvicër, “Dëshira” në Suedi, si dhe ka bashkëpunuar me mjaft revista të njohura shqiptare si “Dielli”, “Mondo albanese” e tjerë. Veprat dhe shkrimet e tij janë një kontribut i madh për lëvrimin dhe pasurimin e gjuhës arbëreshe.
/ata.gov.al