Zgjerohet Shërbimi i Hemodinamikës në spitalin “Shefqet Ndroqi”

3

Pas Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Shërbimi i Hemodinamikës do të zgjerohet në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” edhe për urgjencat.

Pas hapjes së Shërbimit të Hemodinamikës dhe më pas edhe të Shërbimit të Kardiokirurgjisë në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, do të hapet për herë të parë edhe shërbimi i urgjencës për trajtimin e sindromit koronaro-akut.

Përveç shërbimit 24/7 në QSUT, shërbimi i urgjencës për ndërhyrjet kardiake do të jetë 24 orë çdo ditë të hënë në spitalin “Shefqet Ndroqi” si dhe do të priten urgjencat çdo ditë në fashën orare 07:00 – 15:00 për Sindromën Koronar Akut për qytetarët që kanë indikacion urgjent për të kryer angiografi/angioplastikë sipas zonave të mbulimit të referuar nga urgjenca kombëtare.

Aktualisht shërbimi i hemodinamikës ofrohet në 4 spitale publike QSUT, Spitalin “Shefqet Ndroqi”, Spitali Memorial Fier dhe Spitali Rajonal Shkodër dhe falë këtij diversifikimi të ofrimit të këtij shërbimi në jug, veri dhe qendër, janë konsoliduar më tej ndërhyrjet koronare në vendin tone, duke e ofruar këtë shërbim falas dhe duke plotësuar nevojat e qytetarëve për këtë shërbim jetik, afër vendbanimit.

/ata.gov.al