Të falësh gjakun/ Elona Prroj: Hakmarrja e përsosur është falja (VIDEO)

27

Një bashkëbisedim me Elona Prrojin, Drejtuesen e kishës ‘Fjala e Krishtit’ dhe e Fondacionit “Jo Gjakmarrjes, Pro Jetës”.

Elona shpjegon se fondacioni që ajo drejton është vazhdimësi e vizionit të Dritanit, bashkëshortit të saj, i cili u vra për shkak të gjakmarrjes në vitin 2010. Dritani e kishte ëndërruar ndërmarrjen e kësaj iniciative kur ai vetë ishte i ngujuar, si një thirrje nga Zoti për t’u ardhur në ndihmë familjeve që gjendeshin në të njëjtën situatë si ai. Motoja e fondacionit është: “Të thyejmë prangat, që shqiponjat të fluturojnë të lira.”

“Gjakmarrja,”- shpjegon Elona – “është një prangë që mban të lidhur burrat, gratë dhe fëmijët e Veriut të Shqipërisë, dhe ne duam të jemi aty si mbështetje dhe instrumente në duart e Zotit, për t’i çliruar këta fëmijë dhe këto familje nga kthetrat e saj.”

Intervistoi: Kaon Serjani

Elona, kur ktheni kokën pas dhe mendoni për kohën kur ju thurrnit ëndrra për jetën tuaj, a e kishit menduar ndonjerë që do të gjendeshit në një situatë si kjo, ku ju drejtoni një fondacion që lufton gjakmarrjen?

Nuk më kishte shkuar asnjëherë ndërmend që në rrugëtimin tim të jetës do të përballesha me një fenomen të tillë. Duke ardhur nga një familje e jugut të Shqipërisë, nga Vlora, nuk e kisha idenë që fenomeni i gjakmarrjes ekzistonte në veriun e Shqipërisë, deri në momentin kur u fejova me Tanin. Pas martesës vendosëm t’i shërbenim Zotit në Shkodër si pastorë të kishës “Fjala e Krishtit” dhe gjatë shërbesave vinin në kishë për të kërkuar ndihmë gratë që kishin burrat dhe fëmijët e tyre të ngujuar, vetëm atëherë kuptova që fenomeni i gjakmarrjes jo vetëm që ekzistonte, por ishte i ashpër dhe tragjik.

A ka shumë familje të ngujuara sot dhe cilat janë zonat më të prekura?

Në fakt disponimi i statistikave reale është një ndër vështirësitë që ne hasim çdo ditë, sepse ne nuk e dimë sa familje ngujohen në të gjithë fisin kur vritet ndonjë prej tyre dhe as nuk e dimë sa prej tyre lirohen kur merret gjaku. Vështirësia shtohet sepse policia dhe institucionet e tjera shtetërore i minimizojnë statistikat, kjo edhe për shkak se në mentalitetin e këtij komuniteti është dobësi të raportosh në polici krimin ose kërcënimin e marrjes së jetës. Megjithatë, unë mund të tregoj që vetëm në një distancë prej 5 km nga qendra e qytetit të Shkodrës, aty ku ne kemi aktivitetin tonë si fondacion, kemi nën mbikqyrjen dhe përkujdesin tonë mbi 50 familje. Kështu që, ju mund ta imagjinoni vetë se sa shumë rritet numri i tyre nëse futemi më thellë në zonat e Dukagjinit, Mirditës apo të Tropojës.

Elona, si u njohët ju me Dritanin?

Në vitin 1996 unë shkova në Shkodër për të vazhduar gjimnazin dhe personi i parë shkodran që takova ishte Dritani. Unë isha 14 vjeçe në atë kohë mirëpo, para se të mbërrija në Shkodër, e dija mirë që dëshira e tim eti ishte të mos martohesha atje. Prandaj, edhe pse shikoja afrimin e Tanit ndaj meje, ajo derë për mua ishte gjithmonë e mbyllur për këtë shkak. Isha e vetëdijshme për mundin e tim eti si emigrant në Greqi, ku ka bërë punë nga më të rëndat, vetëm e vetëm që të na shkollonte, prandaj gjëja e fundit që më shkonte ndërmend ishte t’i thyeja zemrën atij. Por gjërat erdhën në një mënyrë që as unë nuk i shpjegoj dot, dhe me sa duket Tani ishte plani i Zotit për jetën time, ashtu siç isha edhe unë për jetën e tij. Babait tim iu desh një kohë e gjatë që ta pranonte këtë vendim, dhe kur Tani ndërroi jetë, për të ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë e vështirë.

Disa vite pas martesës suaj një i afërm i Dritanit kreu një vrasje dhe kjo e detyroi Tanin dhe shumë meshkuj të tjerë të familjes që të ngujoheshin për rreth pesë vite, dhe gjatë kësaj kohe ju keni  udhëtuar jashtë Shqipërisë dhe e keni menduar që të jetonit në Angli. Përse u kthyet në Shqipëri kur e dinit rrezikun?

Ishin 25 burra nga familja e Tanit që u ngujuan për pesë vite me radhë për shkak të një krimi që kreu xhaxhai i tij. Kur ne u larguam për në Angli, asnjëherë nuk synuam që të iknim përgjithmon, por që në një të ardhme të ktheheshim sërish, e unë kurrë nuk e mendoja që kjo e ardhme do të ishte kaq e afërt. Na inkurajonte shumë një varg nga Bibla që thotë: “Unë do të të mbroj kudo që të shkosh, por do të të kthej mbrapsht për të përmbushur thirrjen që kam për ty.”

Qëndruam vetëm dy muaj në Angli dhe çdo gjë shkoi shumë mirë atje. Por erdhi një mëngjes kur Tani tha: “Ka ardhur koha të kthehemi në Shqipëri dhe të përmbushim shërbesën për të cilën Zoti na ka thirrur.” Ndërsa ngjisja shkallët e avionit për t’u kthyer në Shkodër, mendoja dhe shpresoja që Zoti do të hapte një rrugë, ndoshta dikush do të ndërmjetësonte që të faleshin njerëzit e pafajshëm. Nuk e mendoja dot kurrë që ngjarjet do të rridhnin ashtu siç rrodhën.

Strategjia e gjakmarrjes është të zgjedhë më të riun dhe më të mirin e fisit për të shkaktuar dhimbjen më të madhe. Në 90% të rasteve nuk vritet personi që kryen vrasjen e parë, por zgjidhet dikush i afërt për ti shkaktuar atij dhimbje dhe turp.  Duke i ditur këto gjëra filluam të luteshim fort. Një mëngjes Tani më thotë: “Nuk do të ngujohem më, do të dal e do ti shërbej Zotit.”  Dhe kushdo që e ka njohur Tanin e di që ai ishte një burrë plot guxim. Nuk kishte gjë që ta ndalte para diçkaje që ai mendonte se ishte e drejtë dhe e duhur për t’u bërë. Kështu që unë si grua isha mes dy zjarresh, së pari isha e frikësuar për jetën e tij dhe së dyti, trembesha se mos bëhesha gur pengese për thirrjen dhe ecjen e tij me Zotin. Fillova të lexoj histori se si mund të mbrohej dikush që ishte target i gjakmarrjes. Mësova që nëse ai do të shoqërohej nga gruaja apo fëmijët gjakësi nuk do të vepronte, sepse nëse ata do të dëshmonin krimin, gjaku nuk do të falej kurrë. Dhe për rreth një vit rresht unë dhe fëmijët vraponim që të ishim kudo me Tanin.

Elona, çfarë ndodhi më 8 Tetor 2010?

Ishte e premte. Një ditë pushimi gjatë së cilës ai përgatitej për predikimin e së dielës, por për shkak se kishim qenë larg kishës për disa ditë, Tani më tha: “Zemër po shkoj në kishë, mos hajde se nuk vonohem, do kthehem shpejt.” Ndërsa e prisja të kthehej për drekë në shtëpi, sapo doli nga kisha dhe po ecte drejt makinës që të shkonte të merrte fëmijët nga shkolla, vëllai i personit që kishte vrarë xhaxhai i tij, e priste aty dhe e qëlloi me pistoletë, duke e çuar tek Zoti në moshën 34 vjeçare.

Çfarë mbante Tani në çantën e tij atë ditë?

Tani në çantën e tij kishte Biblën dhe këtë projekt kundër gjakmarrjes. Arma e tij më e fortë për t’u mbrojtur ishte Fjala e Zotit. Ai besonte fort që askush nuk mund t’ia merrte jetën nëse Zoti nuk do ta lejonte. Instrumenti i hakmarrjes sonë ndaj njerëzve që na kërcënonin me vrasje ishin lutja, dashuria dhe falja. Gjithmon jemi munduar të kuptojmë dhe të respektojmë dhimbjen e familjes tjetër, të nënës që humbi djalin, duke mos rënë kurrë dakort me marrjen dhe këputjen në mes të jetës së një personi, cilido qoftë ai, duke besuar se Zoti është dhënës i jetës dhe që Ai e jep atë me bollëk.

Si gjetët ju ngushëllim pas vdekjes së Dritanit?

Unë isha në mes të errësirës dhe në mes të dhimbjes. Vdekja kishte shqyer mizorisht nga unë gjysmën time më të mirë. Ajo që më ndihmoi për të dalë nga lugina e hijes së vdekjes ishte një forcë e mbinatyrshme, ishte besimi në Zotin përmes Krishtit. Nuk u fokusova tek dhimbja ime, por i ngrita sytë drejt Qiellit për të gjetur ndihmë në atë kohë nevoje.

A kishte lënë Tani ndonjë amanet të fundit?

Pasi e vranë Tanin kam dëgjuar një intervistë që ai kishte dhënë për ‘Radio 7’ ku thoshte: “Çdo ditë kur dal nga shtëpia i puth gruan dhe fëmijët sikur të ishte dita ime e fundit.” Një javë përpara ngjarjes ai i kishte kërkuar vëllait të tij, që nëse ai do të vritej për shkak të gjakmarrjes, ata do ta falnin gjakun e tij.” Vëllai i Tanit i premtoi që do ta falte gjakun, dhe për ne si familje kjo ishte diçka që nuk mund ta negocionim. Nëse ky ishte amaneti i Tani, ashtu do të bëhej. Unë besoj që falja nuk indikohet së jashtmi, por është një proces që vjen së brendshmi.

Si është tani raporti juaj me familjen tjetër?

Ne e kemi shpallur faljen tonë në çdo kontekst dhe çdo platformë dhe familja tjetër është e lirë, nuk është e ngujuar. Amaneti i Tanit ka shkuar në vend.

Çfarë e bëri të mundur që ju të arrinit në pikën ku ofruat faljen?

Falja nuk arrihet në një moment, hakmarrja ndodh në një çast. Falja është një proces i ditëpërditshëm dhe që zgjat gjatë gjithë jetës. Ajo nuk është një ndjenjë, por një vendim. Gjithmon e kam konsideruar vrasësin e Tanit një viktimë që merr frymë. Djali që vrau Tanin, ishte vetëm 16 vjeç kur iu vra vëllai dhe 21 vjeç kur ai vetë u bë vrasës. Ndiej keqardhje për të, pasi ai vetë është viktimë e familjes së tij dhe e komunitetit që e rrethon.

Po i kërkoja Zotit të më ndihmonte në procesin e faljes, pasi burgu i mosfaljes ishte shumë i hidhur. Një ditë po merrja djalin nga shkolla. Ai ishte 10 vjeç në atë kohë. Frika ime ishte se mos ndërsa rritej, do të kërkonte të hakmerrej për babin e vet. Po kalonin afër Gjykatës së Apelit dhe ai më pyeti se çfarë ishte ajo ndërtesë. Ndërsa po përpiqesha t’ia shpjegoja, djali më tha: – “Si i bëhet për ata kriminelë që kanë bërë vetëm një krim dhe nuk kanë patur një shans të dytë?” Në atë moment, për herë të parë i përmend djalit tim vrasësin e Tanit: “Marku ka bërë vetëm një krim, ai ka vrarë babin tënd. Çfarë do të bësh ti me të?”

Me sinqeritetin dhe naivitetin e nje fëmije më tha: “Do ta fal, sepse Jezusi më ka mësuar t’i dua armiqtë e mi, dhe i vetmi armik që kam unë në botë është ai. Përse të mbajmë hidhërim në zemrat tona? Ti vetë më ke thënë që hakmarrja i përket Zotit dhe për njerëzit falja është hakmarrja e përsosur.”

Aty u gjenda në një dilemë të madhe ku fjalët që kisha thënë nuk përputheshin me realitetin tim të brendshëm. Dhe në ato momente vendosa që, nëse një djalë 10 vjeçar mund të falë gjakun e babait të tij sepse i kupton literalisht fjalët e Jezusit për të dashur armiqtë e tij, atëherë kush jam unë që s’mund të fal. Dhe kështu vendosa që unë do të zgjohem çdo ditë dhe do të jap faljen.

Dhe sot vazhdoj të shpall, të jetoj dhe të besoj që, ‘HAKMARRJA I PËRKET ZOTIT DHE PËR NE NJERËZIT, HAKMARRJA E PËRSOSUR ËSHTË FALJA!!!!