1.7 miliardë euro për rrugët, ja akset që përfundojnë brenda 2021

120

Për rrugët në tre vitet e ardhshëm planifikohet të financohen 213 miliardë lekë fonde, ose 1.7 miliardë euro.

Në periudhën afatmesme 2019-2021 synohet përfundimi i pesë akseve rrugore nacionale: Rruga e Arbrit, Thumanë–Vorë–Kashar, Kashar–Rrogozhinë; Milot–Balldren; Orikum–Dukat, nëpërmjet partneritetit publik-privat, në kuadër të programit “1 Miliard” të rrugëve.

Nga ana tjetër, do të vijojë financimi për akset rrugore Kardhiq–Delvinë, lotet 4,5,6,7 e 8; Fushë Krujë-Milot-Morinë; Qafë Thanë-Lin-Pogradec; Unaza Verilindore e Tiranës; Unaza E Tiranës, Pallati me Shigjeta Rrethrrotullimi Shqiponja; Rikualifikimi i Akseve Rrugore, Unaza Lindore Loti 2 Dhe Loti 3; By Pass Tepelenë e By Pass Shkodër, tuneli në Kardhiq-Delvinë.

Edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me fondet e veta prej 200 milionë eurosh, në këto tre vite do të vijojë projekte të tilla si Qafë Plloçë-Pogradec, Harku i Bërdicës-Velipojë, bregdeti Vlorë, Durrës, qendra Fier, etj.

Ndërkohë, do të përdoren fonde për rritje të sigurisë rrugore në të gjitha akset kombëtare ku synohet ulja e numrit të aksidenteve me pasojë humbje jetë njerëzish dhe numri i pikave të zeza me 23%, sipas Strategjisë Kombëtare të Transportit.

Një fond i veçantë do të shkojë edhe në dispozicion të studimeve dhe projekteve për rrugët, ku spikat studimi për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës, një studim i zgjeruar për shumë nga urat kryesore aktuale, akse në Skrapar-Gramsh, Gjirokastër-Zagori, lotin e fundit verior të Unazës së Madhe të Tiranës, etj.