Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi duke folur për aksesin e shkollave në Sistemin e Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar (SMIP), theksoi se, aktualisht në 1021 shkolla nga 1181, gjenden kompjuterë që janë në gjendje pune, ndërkohë që janë në përdorim edhe 981 laptopë ose tableta.
Ministrja shtoi se, “sot 100 shkolla janë të pajisura me 100 SmartLab-e, me laptopë të teknologjisë së përparuar që shërbejnë edhe si laboratorë për zhvillimin e lëndës së TIK që nga klasa e parë, por janë edhe në dispozicion të mësuesve për të zhvilluar veprimtarinë e tyre në sistemin SMIP”.
U tha se, “në projektet shumë të afërta janë 200 shkolla të tjera, me investime për SmartLabs me Bankën Botërore. Tashmë është nënshkruar marrëveshja me BB, që në shtator të vitit 2023, të ketë në 200 shkolla të tjera SmarbLab-e. Ndërkohë, edhe në bashkëpunim me WBIF në planet e afërta janë pajisja e 684 shkollave të tjera”.
Në një hark kohor prej dy vitesh pritet të kompletohen me laboratorë të teknologjisë së përparuar të gjitha shkollat e sistemit parauniversitar, shtoi ajo.
Sa i përket internetit, Kushi theksoi se, “AKSHI ka garantuar akses në internet fiks për 755 nga 1181 shkolla. Ndërkohë në shkollat e tjera po zhvillohen procedurat”.
MAS e ndjek nga afër procesin e pajisjes së shkollave me internet, në bashkëpunim me AKSHI-n, i cili është institucioni përgjegjës për të garantuar aksesin në internet.
/ata.gov.al