224 vite nga lindja e “babait” të abetares së parë Shqipe, Naum Veqilharxhi

20

Naum Veqilharxhi krijoi një alfabet krejt origjinal për gjuhën shqipe, që e quajti Alfabeti i Vithkuqit. Veqilharxhi është ndër figurat më të shquara të viteve të para të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, dhe çmohet si njëri prej ideologëve të saj të parë.

U lind në fshatin e Vithkuqit, pranë Korçës, më datën 6 dhjetor 1797. I ati, Panajot Bredhi qe njeri i oborrit të Ali pashë Tepelenës në Janinë, tregtar që furnizonte me ushqime ushtrinë angleze kur kjo kishte pushtuar ishujt jonianë më 1811. Ka të ngjarë që Naumi mësimet e para t’i ketë marrë në shkollat angleze ndër ishujt jonianë.

Pas shkatërrimit të Vithkuqit më 1819, u shpërngulën si familje në Rumani. Naumi student mori pjesë në revoltat e 1821 të Vllahisë e Moldavisë. Pak vite më pas nisi të punonte avokat, vuri prokopi dhe kontribuoi në jehimin e ideve të Rilindjes Kombëtare. Në Brăila u bashkua me një shoqëri intelektualësh shqiptarë, që çmonin të domosdoshëm kultivimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare për Rilindjen Kombëtare Shqiptare.

Më 1824 ose 1825, nisi të krijonte alfabetin e tij për gjuhën shqipe. Varianti përfundimtar i alfabetit të tij me tridhjetetre shkronja sajuar prej tij, u botua për të parën herë më 1844-5 titulluar “Evëtori Shqip Fort i Shkurtër”. Veqilharxhi shmangu përdorimin e shkronjave greke, latine dhe arabe për shkak të bashkëshoqërimit fetar dhe prej rrezikut se mund të ndillnin përçarje mes shqiptarëve me fe të ndryshme. Ëvetori i Veqilharxhit u përhap fillimisht në Korçë e më pas deri në Përmet dhe Berat, ku gëzoi përdorim të madh.

Më 22 prill 1845, Athanas Paskali në një letër i kërkoi Veqilharxhit që të niste sa më shumë kopje që ta kishte të mundur. Sipas historianëve, botimi i këtij vëllimi shënjon fillimin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Abetarja e parë e tij u shkrua dhe u botua në vitin 1844. Kjo abetare përmbante dhe një alfabet origjinal, por meqë ai ishte unik në llojin e tij, i vështirë për t’u shkruar dhe pa asnjë ngjashmëri me ndonjë gjuhë tjetër, nuk pati mundësinë për ta bërë popullore. Gjithsesi orvatja, mundi e puna e tij u vlerësuan maksimalisht dhe këtë e tregon dhe fakti se autorit iu kërkuan disa abetare me qëllim ndritjen e mendjes së popullit të etur për kulturë dhe dije.

Naum Veqilharxhi, përveç abetares së tij, kishte dhe shumë libra të tjerë të shkruar në alfabetin e tij, që për fat të keq nuk kanë arritur të mbijetojnë. Kontributi i Naum Veqilharxhit kurorëzohet pas me krijimin e shoqërisë “Drita” pas vdekjes, në vitin 1848. Në këtë kontekst Naumi gjeti të gjitha kushtet për të manifestuar idetë e tij iluministe rilindëse. Ai u bënte thirrje shqiptarëve për bashkim e ruajtje të identitetit të tyre qoftë fetar apo etnik, atëherë kur më shumë se kurrë perandoria osmane ushtronte presionet e fundit në trevat e banuara nga shqiptarët.

Ndërkohë familja Veqilharxhi i ka dhënë një kontribut të rëndësishëm, jo vetëm Shqipërisë, por dhe Rumanisë. I pari president i gjyqtarëve për qytetin e Brailes u emërua Konstandin Veqilharxhi.

Sot mund të themi që këto dy shtete, Shqipëria dhe Rumania, nuk ia lanë harresës, njeriun që bëri urën e miqësisë mes tyre. Ata i dhanë mirënjohjen e kujdesin e merituar. Për shembull shtëpia e Naum Veqilharxhit në qytetin e Brailas, është kthyer në muze dhe ajo ruhet me shumë përkushtim nga shteti rumun. Ndërsa shteti shqiptar dhe akademikët e tij konsiderojnë se Naum Veqilharxhi është figura më e spikatur e Diasporës shqiptare për sa i përket gjysmës së parë të shekullit të XIX.