41 vjet më parë, kur shqiptarja Nënë Tereza u nderua me çmimin Nobel për Paqe

18

Më 10 dhjetor tè vitit 1979, Shenjta Nënë Tereza merrte Çmimin Nobel për Paqen në Oslo të Norvegjisë. Ndërsa dilte nga manifestimi solemn, pasi iu dorëzua Çmimi Nobel, në një foto portret të saj shkroi këto fjalë: “Une gjithmon e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shum luti Zotin që paqja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutnu shum për fukarat e mij dhe për mua dhe motrat e mija. Une lutem për juve“.

Dihet nga të gjithë se Nënë Tereza është me origjinë shqiptare, por ajo ishte indiane, italiane, amerikane, angleze, nga të gjitha vendet e botës, ku motrat e saj u shërbenin më të humburve, më të mënjanuarve, më të padashurve. E të gjithë e konsideronin të tyren këtë murgeshë të brishtë katolike, që kërkoi gjithë jetën Zotin në rrugët e mjerimit.

Mishërim i virtyteve më të mira të kombit shqiptar, por edhe të njeriut në përgjithësi, ajo është shembull i papërsëritshëm i flijimit të përditshëm për njerëzit e lënë, është shembull i besimit në Zotin dhe në Njeriun.

Kujtojmë se përveç Çmimit Nobel, Nënë Tereza është nderuar edhe me shumë çmime të tjera të mëdha, si: Çmimi “Pamada Shir” (1962), mirënjohja më e madhe kombëtare indiane; Çmimi “Papa Gjoni XXIII për Paqe” (1971), i pari nga Kisha Katolike, dorëzuar nga vetë Papa Pali VI; Çmimi “Xhon Kenedi” (1971); Çmimi “Nehru”; Çmimi “Nëna e të gjitha nënave” (1973); Çmimi “Medalja e Lirisë” (1985), i cili iu dha nga presidenti amerikan i atëhershëm, Ronald Regan.