51 milionë lekë për ndërtimin e rrugës lidhëse Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës – autostrada Fier-Vlorë

28

Në projektbuxhetin për vitin 2024 planifikohen 51 milionë lekë për ndërtimin e rrugës lidhëse Aeroporti Ndërkombëtar të Vlorës (VIA) – autostrada Fier-Vlorë.

Gjatë këtij viti fondi ishte 30 milionë lekë, ndërsa në vitin 2025 planifikohet të investohen 69.2 milionë lekë.

Lidhja e Aeroportit me sistemin rrugor kombëtar merr një rëndësi të madhe për vetë fluksin e udhëtarëve dhe transportit të mallrave të cilët duhet të gjejnë rrugën më të shkurtër dhe më ekonomike për t’u lidhur me akset kombëtare të vendit dhe destinacionet e kërkuara.

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VIA), një prej investimeve strategjike për turizmin dhe ekonominë shqiptare, po jetësohet në terren për t’u shndërruar në aeroportin kryesor të vendit, i cili do të funksionojë me mbi 3 modele biznesi: aviacion civil, mirëmbajtje e avionëve, një kargo e mirëfilltë, e cila i mungon shtetit shqiptar.

VIA do të jetë porta e hyrjes në jugun e Shqipërisë dhe porta e zhvillimit të turizmit. Ai parashikohet të rrisë lidhjet ajrore të Shqipërisë nëpërmjet heqjes së monopolit të TIA-s. Në këtë mënyrë, konkurrenca midis VIA-s dhe TIA-s do të ulë çmimet e fluturimeve, çka do të sjellë edhe rritjen e numrit total të pasagjerëve.

Ky aeroport do të kontribuojë në rritjen e përgjithshme ekonomike të vendit dhe do të transformojë jugun e Shqipërisë në një atraksion turistik, të aftë për të tërhequr investime të huaja direkte në sajë të një aeroporti të vendosur më pak se 1 orë larg atraksioneve turistike dhe urbane.

Me veprimtarinë e aeroportit të Vlorës, vendi do të përfitojë nga linjat me kosto të ulët që do të hyjnë në treg, si dhe do të nxisë investitorët për të zhvilluar aeroportin dhe infrastrukturën e turizmit në zonë.

/ata.gov.al