A e dini sa tonë mjaltë u prodhua në Shqipëri këtë vit? Rreth 8 200 familje që merren me bletari

41

Bletaria, një nga aktivitet kryesore ekonomike në vendin tonë,  regjistron një vlerë kapitali në investime që arrin në mbi 72 milionë euro.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bën të ditur se, bletaria është kthyer tashmë në një biznes fitimprurës që po fuqizon ekonominë e fermerëve çdo ditë e më shumë, falë edhe mbështetjes që adreson qeveria për këtë sektor.

Referuar statistikave, prodhimi i mjaltit në vendin tonë arrin në rreth 5 000 tonë mjaltë në vit.

Në Shqipëri numërohen rreth 8 200 familje që merren me bletari, ndër të cilët një pjesë konsiderohen si profesionistë që e ushtrojnë këtë aktivitet ndër vite dhe të tjerë individët të apasionuar pas bletarisë.

Statistikat tregojnë se, prodhimi i mjaltit gjatë vitit 2021, ka shënuar rritje me 2 000 tonë krahasuar me vitin 2014 dhe me 1 000 tonë, krahasuar me 2018-ën, ose 61 % dhe 23 % më shumë prodhim mjalti ndër vite.

Në vendin tonë numërohen 394 mijë koshere bletësh, prej të cilave 37 622 janë të vendosura në territorin e bashkisë Shkodër, 19 314 në bashkinë Fier, 15 000 në bashkinë Maliq, 12 150 në bashkinë Divjakë, 10900 në bashkinë Korçë dhe 10 040 në bashkinë Belsh.

Zhvillimin e këtij sektori, po e mbështet edhe qeveria, përveç financimit për mbarështimin e bletëve me fondet e buxhetit të shtetit, fermerët mund të aplikojë për ndihmë financiare për të ndërtuar një linjë paketimi apo përpunimi të mjaltit përmes programit IPARD.

Ndërsa për herë të parë MBZHR ka përgatitur një draftligj të ri për bletarinë, që tashmë është në fazën finale të konsultimeve dhe pritet që së shpejti të kalojë në parlament për të ridimensionuar dhe rregulluar tërësisht këtë sektor që nga mbarështimi i bletëve, deri në shitjen e produkteve, sipas standardeve më të mira.