A keni ëndërruar të flini në natyrë, nën yjet e qiellit, rrezë maleve apo…? Ja hoteli që ua mundëson

37

A keni ëndërruar të flini në natyrë, nën yjet e qiellit, mbase rrëzë maleve apo në mes të vreshtave?

Sot kjo ëndërr është një realitet, pasi në Zvicër mund të rezervoni një dhomë në mes të natyrës, pa mure e tavan, por me një krevat të rehatshëm martesor, komodina dhe drita për të lexuar në mbrëmje. Një mazhordom është nën shërbimin tuaj për t’ju sjellë një aperitiv apo një mëngjes të shijshëm nën batanije, kur dita nis të agojë.

Ideja gjeniale është tërheqëse si për ata që janë duke vlerësuar mundësitë për një turizëm të përgjegjshëm, eko të qëndrueshëm dhe ‘green’, duke respektuar distancimin fizik, si për ata që janë duke kërkuar destinacione origjinale dhe krijuese.

“Null Stern Hotel”, thënë ndryshe hotel me zero yje, “pasi ylli i vetëm që ndriçon je ti”, ky është slogani, ndodhet në disa vende në Zvicër dhe është gjetja e fundit e grupit gjerman “Null Stern”, i krijuar nga artistët konceptualë Frank dhe Patrik Riklin në bashkëpunim me Daniel Charbonnier, profesionist i “Minds in Motion SA”, shërbim mikpritës ndërkombëtar hotelesh. Disa vite më parë, të njëjtët artistë i dhanë jetë një hoteli minimalist, i realizuar në një bunker të dikurshëm nuklear në Teufen. Sot kanë nisur të përhapin idenë e hoteleve pa mure.

Me këtë projekt të ri mikpritjeje, artistët synojnë hapësira green dhe alternative, për të fjetur, pa mure dhe tavan, në shtatë vende në Zvicër, si St. Gallen dhe liqeni i Konstancës, Toggenburg, Heidiland (vendi ku lindi dhe u rrit Heidi), Appenzellerland, Thurgau, Schaffhauserland dhe Principata e Lihtenshtajnit.

Për të kaluar një natë të veçantë ju mund të zgjidhni një dhomë në Eschen, rrëzë malit; të zhyteni në aromat e vreshtave të Thal, në Kantonin St. Gallen; të qëndroni në hapësirat e mrekullueshme të Kantonit Thurgau apo të rezervoni një dhomë në kodrat e Toggenburg, e të shijoni peizazhin e mrekullueshëm të luginës Rhine, përcjell albinfo.ch.

Të zgjohesh në mëngjes nën dritën e agimit me zhurmat dhe tingujt e natyrës, ajrin e freskët dhe të pastër dhe mbi të gjitha me një peizazh që do të shtangë gjithë turistët, veçanërisht ata romantikë.

Çmimi për një dhomë fillon nga 295 euro nata, duke përfshirë edhe shërbimin e mazhordomit dhe mëngjesin në suitë. E nëse prishet koha? Mos kini frikë, ju mund të bëni një prenotim sërish…