“Agro Puka”, ekspozohen 200 produkte bio për banorët e zonës dhe vizitorët

37

“Agro Puka”, një shoqatë prej 300 fermerësh feston përvjetorin e 20 të krijimit, me një demonstrim të produkteve bujqësore dhe blegtorale në sheshin e qytetit.

Në kuadër të këtij eventi u zhvillua dhe panairi i produkteve bujqësore dhe blegtorale që e ktheu Pukën këtë fundjavë në kryeqendrën e produkteve organike, teksa mbi 200 produkte u ekspozuan në qendrën e qytetit të Pukës nga fermerë, blegtorë dhe prodhues të tjerë, anëtarë të shoqatës “Agro Puka”.

Produktet organike tërhoqën vëmendjen edhe të shumë miqve që udhëtuan drejt Pukës, jo vetëm nga Tirana, por edhe zona të tjera të vendit për të siguruar produktet bio të zonës.

Këtë vit organizatorët, bashkia e Pukës dhe “AgroPuka” e kishin menduar panairin një festë për zonën, ku u ndërthurën dhe vallet tradicionale, muzika dhe programe të tjera artistike.