Rindërtimi/ Kur do jenë gati 4500 banesa individuale dhe 12 mijë apartamente

20

Procesi për rindërtimin pas tërmetit të fortë të 26 nëntorit të vitit 2019 që goditi vendin tonë, ku humbën jetën 51 persona e u plagosën mbi 1 mijë të tjerë vazhdon çdo ditë, me një shtëpi të re, një shkollë të re, një lagje të re.

Sot të gjithë zonat e prekura nga tërmeti janë në kantier, e në shumë prej tyre po ngrihen nga themelet godinat dhe po rilindin lagjet e reja për mbi 42 mijë familje.

Fondi në total i vendosur nga buxheti i shtetit për këtë program në tre vite llogaritet mbi 60 miliardë lekë.

Ndërkohë 100% e granteve të premtuara në Konferencën e Donatorëve, ose rreth 300 milionë euro janë aktive në mbi 30 projekte konkrete në strehim, arsim dhe infrastrukturë publike.

Mbi 33 mijë e 400 familje kanë përfituar grante rikonstruksioni dhe rindërtimi në vlerën 12.7 miliardë lekë, krahas rikonstruksionit të ambienteve të përbashkëta në mbi 1100 pallate. 13 mijë e 325 qytetarë janë trajtuar me bonus qiraje, pagesa që do të vazhdojnë deri në rikthimin në banesat e reja.

27 shkolla kanë përfunduar, ndërsa puna vijon çdo ditë në kantieret e rinj të objekteve arsimore, pallateve dhe infrastrukturës publike në lagjet e reja që do ti shërbejnë 500 mijë banorëve.

450 kompani kanë angazhuar mbi 24 mijë punëtorë në rreth 3100 kantiere ndërtimi ku po marrin formë çdo ditë godinat e reja të pakrahasueshme me ato që shkatërroi tërmeti.

Në fund të pranverës së vitit 2022 nuk do të ketë më asnjë gjurmë të tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019.

4500 banesa të reja individuale do të përfundojnë duke strehuar të gjithë banorët që humbën shtëpinë e tyre, 13 mijë familjet që po trajtohen aktualisht me bonus qiraje do të vijojnë të marrin bonusin dhe përfitimet e tjera deri në ditën që do tu dorëzohen çelësat e shtëpisë së re në dorë.

12 mijë apartamente në lagjet e reja do të jenë ndërtuar duke strehuar të gjithë familjet që humbën apartamentet e tyre. 28 kantiere të reja të infrastrukturës publike do të kenë përfunduar deri në pranverë të vitit që vjen.

Shkollat e reja po ngrihen shumë më të forta shumë më modern dhe të afta për t’iu përgjigjur nevojave të kohës. Brenda pranverës që vjen përfundon rehabilitimi dhe ndërtimi i mbi 160 çerdheve, kopshteve, shkollave e konvikteve.