Air Albania rinis fluturimet e rregullta, sot me Stambollin dhe të hënën nga Italia

41

Kompania ajrore shqiptare, Air Albania njofton se pas riatdhesimeve rinis fluturimet e rregullta ajrore.

Përmes një njoftimi për shtyp, kompania Air Albania thekson se “sot në datë 21 qershor rifillojmë fluturimet e rregullta me Stambollin”.

Ndërsa nga data 22 qershor, Air Albania deklaron se “rifillojmë fluturimet e rregullta për të gjithë të interesuarit që duan të udhëtojnë nga Italia drejt Shqipërisë. Për nisjet nga Shqipëria, lajmërojmë pasagjerët të sigurohen se nuk ndikohen nga kufizimet e vendosura nga destinacionet e synuara”.

Qytetarëve që udhëtojnë u bëhet apel që të respektojnë protokollet e higjienës dhe mbajtjen e maskave.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi sot se duke filluar nga data 22 qershor 2020, do të fillojnë veprimet për operimin e fluturimeve të rregullta ndërkombëtare, në destinacionet, sipas skedulave që do të miratohen dhe komunikohen nga Autoriteti i Aviacionit Civil në vijim.Përgjatë javës që fillon në datë 22 qershor 2020, për skedulat e aktivizuara, shoqëritë ajrore duhet të marrin masa e nevojshme për të mundësuar rezervimin e fluturimeve për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.

Prioritet është rivënia në funksionim e transportit ajror në përputhje me rregullat parandaluese dhe mbrojtëse të sigurisë së shëndetit, hartuar sipas rekomandimeve dhe udhëzimeve të organizmave ndërkombëtarë të aviacionit civil dhe atyre të shëndetit publik.