Aktivizohen tragetet nga Durrësi, rinis sot transporti detar i pasagjerëve në Shqipëri

14

Nga sot ka rinisur transporti detar i pasagjerëve. Lejohen të lëvizin me transport ndërkombëtar të trageteve tē gjithë shtetasit e huaj që ndodhen në Shqipëri ose vijnë për në Shqipëri për punë apo biznes.

Do të lejohen të lëvizin, po ashtu nga dhe për në Shqipëri të gjithë shtetasit shqiptarë që janë rezidentë në vendet e Bashkimit Europian, dhe janë të pajisur me dokumente të shteteve të BE ose shteteve të tjera jashtë BE.

Në këtë fazë, do të lejohen të lëvizin të gjithë diplomatët shqiptarë dhe të huaj, si dhe diplomatë të Republikës së Kosovës me automjetet e tyre personalë në hyrje dhe në dalje për dhe nga Shqipëria.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Drejtoria e Përgjithshme Detare po punojnë, dhe po presin vendimin nga BE për hapjen përfundimtare që shpresojmë të jetë data 1 korrik 2020.

Të gjithë kapiteneritë e porteve, autoritetet portuale dhe agjencitë detare duhet të zbatojnë me rigorizitet protokollin e operimit të transportit detar për COVOD-19 të miratuar me urdhërin nr. 169 datë 5 qershor 2020, të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ky protokoll ka qëllim të ndihmojë në ruajtjen dhe në mbrojtjen e shëndetit të punonjësve të terminaleve, operatorëve të portit, ekuipazheve dhe pasagjerëve, si dhe për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së COVID-19 në portet e hapura në Republikën e Shqipërisë.

Sipas protokollit, mjetet detare të transportit të pasagjerëve lejohen të mbajnë deri në 70% të kapacitetit të tyre maksimal të pasagjerëve të përcaktuar me legjislacionin aktual, në varësi riskut të përhapjes së infeksionit.