Amerikania që e la Teksasin për të dhënë mësim në Prizren

38

Lindsay Keeling është një vajzë nga Teksasi, e cila fluturoi me orë të tëra mbi ujërat e kaltër e të thellë të Atlantikut, duke e lënë Amerikën pesë mijë e ca milje pas. E apasionuar pas kulturave të reja, dëshirave për të udhëtuar e për të jetuar në shtete tjera për kohë te caktuar e bën Lindsay-in të zgjedhte programin e grupit “Peace Corps” për t’i realizuar të gjitha këto dëshira.

Programi i grupit “Peace Corps” (Korpusi i Paqes), e kishte zgjedhur një familje me katër anëtarë në Kamenicë për ta vendosur Lindsay-in në të për tre muajt në vijim.

Tani punon si mësuese, por ky nuk është profesioni i vetëm që ajo e ka bërë. “Në Teksas kam punuar si gazetare në një gazetë lokale të Teksasit, asistente administrative në Departamentin e Arsimit dhe në Akademinë e Policisë, si dhe në një fabrikë birre”, u shpreh Lindsay tashmë si një banore e re e fshatit Pouskë të Prizrenit, pasi programi në të cilin ajo është e ka zgjedhur këtë fshat të vogël për të, ku do të qëndrojë gjatë dy vjetët e ardhshëm bashkë me një familje boshnjake.

Një mësuese nga Teksasi

Në fshatin e vogël boshnjak, të vendosur në thellësitë e një mali te lartë, nga i cili shihet pamja e mahnitshme e Prizrenit dhe i cili ka jo më shumë se 50 shtëpi. Lindsay ecën pothuajse çdo ditë për të shkuar në shkollën e vogël të fshatit, në të cilën jep mësim në gjuhën angleze.

Përshtypjet për Kosovën dhe kosovarët

E impresionuar nga ato që kishte parë me të ardhur në Kosovë, ajo tregon se mbresa i kishte lënë fakti se familja këtu është e rëndësishme për të gjithë. E përshtypjet e saj për shqiptarët Keeling i përmbledh me një fjali të shkurtër e të qartë: “Mendoj se shumica e shqiptarëve të Kosovës janë të shoqërueshëm. Natyrisht, ka dallime në kultura, por në përgjithësi janë të shoqërueshëm”.

Tanimë Lindsay e ka kaluar pothuajse një vit në Kosovë. I kanë mbetur edhe dy të tjerë deri në ditën kur do të kthehet sërish në Teksas për t’i ndarë përvojat e saj me rrethin e saj.