Arti dhe kultura ‘magnet’ për shqiptarët, ja shifrat impresionuese

18

Arti dhe kultura po tërheqin çdo ditë e më shumë vëmendjen e qytetarëve dhe të rinjve, të cilët i vizitojnë ato për të kaluar disa orë ndryshe argëtimi.

Shifrat e kulturës të publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se numri i shfaqjeve kulturore gjithsej në tremujorin e dytë 2019 është 372, duke pësuar një rritje prej 28,3 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2018.

Në institucionet qendrore të artit dhe kulturës, në tremujorin e dytë të vitit 2019, janë organizuar 18 premiera.

Shqiptarët kanë qenë më aktiv në ndjekjen e e shfaqjeve në teatro duke çuar në rritjen e numrit të spektatorëve. Gjithashtu kjo ka ardhur dhe për shkak se jeta artistike sidomos në kryeqytet është pasuruar me evente të ndryshme.

Në tremujorin e dytë 2019, numri i spektatorëve është 71.970, duke pësuar rritje me 46,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pjesëmarrja mesatare në tremujorin e dytë 2019 është 193 spektatorë për shfaqje nga 169 spektatorë të rezultuar në tremujorin e dytë 2018.

Në tremujorin e dytë 2019, Teatri Kombëtar Eksperimental është institucioni që ka realizuar numrin më të lartë të shfaqjeve gjithsej, me 143 të tilla, 24 shfaqje më shumë, krahasuar me tremujorin e dytë 2018.

Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka realizuar numrin më të lartë të premierave, 12 premiera, dy më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në tremujorin e dytë 2019, Teatri Kombëtar Eksperimental është institucioni që ka numrin më të lartë të spektatorëve, me 19.154 të tillë, duke shënuar një rritje me 30,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.