Autobusë elektrikë në Tiranë, rreth 120 milionë euro për transformimin e transportit publik

2

Rreth 120 milionë euro do të përdoren për të transformuar transportin publik në Tiranë. 50 mln euro kredi, 1 milionë grant nga Bashkimi Europian, pjesa tjetër do të financohet nga Bashkia e Tiranës.

Qytetarët  po i rikthehen transportit publik pas rënies drastike të numrit të atyre që përdornin autobuzët gjatë pandemisë. Vetëm vitin e fundit në Tiranë u kryen rreth 70 milion udhëtime. Në tre linjat  që përshkojnë  zemrën e kryeqytetit, ajo Kombinat- Kinostudio, Tirana e re dhe  Unaza, autobuzët do të jenë elektrikë dhe korsitë e dedikuara për to.

Ky sistem sipas Drejtorit të Transportit në bashki Enton Punavija, është përzgjedhur për të  përballuar shtimin e fluksit të udhëtarëve.

Sipas tij, synimet janë dy, redukim të gati 50% të kohës së qytetarëve nga pika a në b, në  disa raste dhe rritjen e volumit të udhëtarëve  të cilët do të lënë makinat e tyre për të përdorur transportin publik.

Punimet do të nisin këtë vit dhe do të  asistohen nga  ekspertë gjermanë dhe anglezë.

“Projekti formalizohet dhe fillon punë këtë vit, në vitin 2027-2028 është targeti i përmbylljes.  E gjithë flota e autobuzëve në tre korridoret kryesore është flotë me autobuzë elektrikë, por që të vesh një autobuz elektrikë në shërbim do dhe të gjithë infrastrukturën mbështetëse,  siç është depo, pikat e karikimit,  përcaktimi i fuqisë, përcaktimi i autonomisë së autobuzit që ai mos të shkëputet nga shërbimi për të përballuar ditën.  Digjitalizimin  e të gjithë sistemit të informimit të qytetarëve si nëpër stacione  apo aplikacioneve përkatëse ku qytetari në kohë reale merr informacion  kur vjen autobuzi”, tha Punavija.

Kthimi i tre linjave në korridore kryesore do të shoqërohet dhe me organizimin e transportit në përgjithësi.

Kjo do të rrisë shpejtësinë e lëvizjes së autobuzëve dhe do tu shkurtojë qytetarëve kohën e mbërritjes në destinacion.

/ata.gov.al