Banesat sociale/ Si të përfitoni kreditë buta, kriteret dhe dokumentacioni që duhet

49

Këshilli i Ministrave në vendimin për masën e subvencionimit të interesave të kredisë për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti, për banesa me kosto të ulët, bazuar në ligjin nr. 22/2018, “Për strehimin social”, miratoi edhe dokumentacionin e nevojshëm.

Kështu, për efekt të përfitimit të subvencionimit të interesave të kredisë, individët/familjet, që janë miratuar me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, paraqiten pranë strukturës përgjegjëse për strehimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore për të bërë deklaratën për dhënien e pëlqimit për përdorimin e të dhënave personale, me qëllim rifreskimin e dokumentacionit që lidhet me:

  1. a) vërtetimin negativ nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes nuk figuron, në të gjithë territorin e Shqipërisë, pronë e regjistruar ose në proces regjistrimi ose vërtetimin për një pronë që është nën normat e banimit;
  2. b) vërtetimin nga bankat për gjendjen e llogarive dhe të depozitave të familjes/individit;
  3. c) dokumentin e lëshuar nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore për dhënien e statusit të individit/familjes që përfiton për subvencionimin e kredisë;

ç) certifikatën e gjendjes familjare;

  1. d) adresën e banesës dhe emrin e pronarit të banesës.

Listat e familjeve përfituese të programit të subvencionimit të interesave të kredisë, miratuar me vendim të këshillave të njësive të vetëqeverisjes vendore, i dërgohen institucionit financiar me të cilin është nënshkruar marrëveshja si dhe çdo institucioni që do të monitorojë subvencionimin.

Listat përfshijnë të dhëna për përbërjen e familjes, sipas certifikatës familjare, strukturën e apartamentit që përfiton si edhe të dhëna mbi gjendjen:

  1. a) e strehimit;
  2. b) familjare;
  3. c) sociale;

ç) ekonomike, sipas nenit 16, të ligjit nr.22/2018. Të dhënat nuk mund të përdoren, përveçse për monitorimin e programit.

Njësia e vetëqeverisjes vendore, brenda listës së individëve/familjeve që kualifikohen për kredi me interesa të subvencionuara, miraton listën parësore me subjektet që kanë grumbulluar më shumë pikë brenda kuotave që mund të financohen nga buxheti i shtetit ose i njësive të vetëqeverisjes vendore, si dhe një listë rezervë, me subjektet që renditen më poshtë me pikë. Lista rezervë përdoret nga institucioni financiar kur një individ/familje nuk kualifikohet nga institucioni financiar si i përshtatshëm për të lidhur kontratën për marrjen e kredisë. Individët/familjet e listës rezervë duhet të plotësojnë kushtet për përfitimin e kredisë, sipas pikës 13, të këtij vendimi.

Individët/familjet që nuk përfshihen në listë kanë të drejtën e ankimit administrativ pranë kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore për t’u njohur me shkaqet e mospërfshirjes së tyre në listën e përfituesve. Kundër këtij vendimi, individët/familjet kanë të drejtën e ankimit në gjykatën administrative, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Institucioni financiar njofton individët/familjet përfituese për t’u paraqitur për lidhjen e kontratave, duke ndjekur radhën sipas renditjes së listave të dërguara nga njësia e vetëqeverisjes vendore. Kontrata e kredisë lidhet ndërmjet institucionit financiar dhe gjithë pjesëtarëve madhorë të familjes.

Individët/familjet e miratuara me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore duhet të kujdesen për gjetjen e një banese për blerje me kredi dhe kanë një afat 6-mujor nga data e marrjes së njoftimit për lidhjen e kontratës me institucionin financiar. Në rast se pas kalimit të këtij afati individi/familja ende nuk ka gjetur banesë, paraqitet pranë institucionit financiar dhe institucionit që monitoron subvencionim e kredisë për të kërkuar shtyrje të afatit.

Kur familja paraqitet pranë institucionit financiar dhe institucionit që monitoron subvencionim e kredisë brenda 6 muajve nga data e njoftimit (publik/shpallja e listave/me shkresë), duke kërkuar shtyrje të afatit, emri i subjektit vazhdon të qëndrojë në listë pritjeje edhe për 6 muaj të tjerë.

Në rast se familja nuk paraqitet brenda 6 muajve dhe as ka kërkuar shtyrje të afatit, veprohet, si më poshtë vijon:

  1. a) Kur nga njësitë e vetëqeverisjes vendore janë dërguar lista rezervë, sipas pikës 21, të këtij vendimi, institucioni financiar vijon me listën emërore rezervë;
  2. b) Kur lista rezervë është shteruar, njësia e vetëqeverisjes vendore harton listën e radhës me subjekte që plotësojnë kriteret ligjore dhe janë renditur më poshtë me pikë.

Individët/familjet përfituese të kredisë me interes 0%, që janë qiramarrës në banesa pronë e subjekteve të shpronësuara, duhet të paraqesin një deklaratë pranë nëpunësit të institucionit publik, të ngarkuar nga qeveria, në përputhje me rregullimet e aktit normativ me fuqinë e ligjit nr. 3/2012, të Këshillit të Ministrave, që ai dhe familja e tij pranojnë të lirojnë banesën e pronarit brenda 30 ditëve, nga data e lëvrimit të kredisë, përveç rasteve kur është parashikuar ndryshe në marrëveshjen me pronarin/pronarët. Institucioni financiar nuk lidh kontratën me përfituesin në mungesë të deklaratës së mësipërme.

Lista e individëve/familjeve, e miratuar me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, i dërgohet institucionit financiar me të cilin është nënshkruar marrëveshja.

Për çdo individ/familje, institucioni financiar llogarit shumën e subvencionimit të interesave të kredisë për gjithë jetëgjatësinë e kontratës, e cila i njoftohet institucionit publik, që financon programin. Kjo shumë nuk mund të jetë më e madhe se 100% e vlerës së banesës së blerë, sipas çmimit të referencës. Diferenca, që rezulton ndërmjet vlerës së banesës dhe shumës që krediton institucioni financiar, paguhet nga familja në mënyrë të menjëhershme, ose me këste, me interes të pasubvencionuar.

Për çdo njësi të vetëqeverisjes vendore, kufiri maksimal i kreditimit, që mbulohet sipas strukturës së familjes, llogaritet bazuar në çmimet mesatare të shitblerjes së banesave në treg, sipas aktit nënligjor në fuqi për çmimet e tregut të banesave; sipërfaqes së apartamentit, që përfiton familja, bazuar në normat e strehimit në fuqi; dhe shumës maksimale që mund të kreditojë institucioni financiar, sipas nënpikës “iv”, të shkronjës “a”, të pikës 9, të këtij vendimi.

E drejta e shlyerjes së kredisë nuk mund t’i kalojë një personi tjetër. Në rast se familja, për shkaqe ekonomike, nuk mund të vazhdojë më shlyerjen e kredisë, njofton menjëherë institucionin financiar dhe njësinë e vetëqeverisjes vendore përkatëse.

Për çdo rast bëhet vlerësimi i shumës së shlyer nga familja, subvencionimit të interesave të kredisë, që ajo ka përfituar nga shteti, dhe pjesës së ngelur të kredisë. Në marrëveshje ndërmjet institucionit financiar, familjes dhe njësisë së vetëqeverisjes vendore mund të jepet njëra prej zgjidhjeve të mëposhtme:

  1. a) Familja mund t’i kalojë të drejtën e shlyerjes së kredisë një familjeje tjetër, që është në listën e njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe përmbush të njëjtat kritere për përfitimin dhe shlyerjen e kredisë. Mënyra e kalimit të kësaj të drejte dhe marrëdhëniet ndërmjet dy familjeve rregullohen me akt noterial mes palëve të interesuara;
  2. b) Banesa mund të kalojë në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore vetëm kur kjo e fundit merr përsipër shlyerjen e detyrimeve që i takon familjes në mënyrë të menjëhershme ose me kredi, sipas plan-pagesave të familjes. Në këtë rast, familja kalon me kontratë qiraje sociale me njësinë e vetëqeverisjes vendore dhe subvencionimi i interesave të kredisë nga buxheti i shtetit ndërpritet;
  3. c) Nëse nuk plotësohet asnjë nga dy alternativat e mësipërme, banesa vlerësohet dhe shitet në ankand, sipas procedurave të parashikuara nga Kodi i Procedurës Civile.

Masa e ndihmës për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti planifikohet në buxhetin vjetor dhe atë afatmesëm të institucionit që financon programin, bazuar në informacionin që dërgon institucioni financiar mbi, ndër të tjera, numrin e përfituesve dhe sasinë e subvencionimit të shpenzuar në vitet paraardhëse dhe nevojat e parashikuara për vitin pasardhës.

Institucioni që financon programin e kreditimit monitoron zbatimin e programit nga institucioni financiar. Për këtë, institucioni financiar i dërgon institucionit zbatues një kopje të kontratës së kreditimit. Brenda muajit dhjetor të çdo viti, deri në përmbushjen e plotë të detyrimeve kontraktuale, institucioni financiar dërgon informacionin lidhur me mënyrën e përmbushjes së kontratës për marrjen e kredisë për përfituesit.

Institucioni, që zbaton programin, njofton institucionin financiar për ndërprerjen e subvencionimit të interesave të kredisë kur, nga verifikimet, qofshin rastësore ose jo, bazuar në ankesa apo denoncime të individëve a institucioneve, konstatohen:

  1. a) se qytetari nuk ka liruar banesën e pronarit brenda afatit të përcaktuar;
  2. b) falsifikime të dokumenteve apo deklarata të rreme.

Familja, që ka përfituar banesë me kosto të ulët, nuk mund t’i kalojë të drejtat që ajo ka mbi këtë banesë te një individ tjetër ose ta lëshojë atë me qira gjatë periudhës së shlyerjes së kredisë.

Ngarkohen institucionet financiare, INSTAT-i, ministria përgjegjëse për strehimin dhe njësitë e qeverisjes vendore për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.