Banka Botërore ngre parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në 3.6%

5

Banka Botërore ka rishikuar në rritje me 0.8% pritshmëritë për rritjen ekonomike të Shqipërisë në vitin 2023, duke projektuar tashmë 3.6%, nga 2.8% që ishte ky parashikuar në qershor të këtij viti.

“Ekonomia e Shqipërisë ka shfaqur qëndrueshmëri të konsiderueshme kundrejt goditjeve të njëpasnjëshme gjatë periudhës 2019-2022, duke nisur me tërmetin, pandeminë dhe pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Ekonomia shënoi rimëkëmbje të fortë, me një rritje në masën 8.9% në vitin 2021 dhe 4.8% në vitin 2022. Normat e varfërisë vijuan trendin rënës edhe përgjatë vitit 2022. Faktor kyç në qëndrueshmërinë e Shqipërisë vlerësohet të jetë afërsia me Bashkimin Evropian, që lehtëson investimet, remitancat dhe eksportet. Ndërtimi dhe turizmi vlerësohen si katalizatorë kyç të rritjes ekonomike,” shkruhet në raportin e BB.

Referuar zhvillimeve aktuale, BB thekson se indikatorët kryesorë ekonomikë sugjerojnë përshpejtim të rritjes gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë, me numrin rekord të vizitorëve të huaj në korrik 2022 dhe përshpejtimin e aktivitetit të ndërtimit. Rritja e të ardhurave nga punësimi, rritja e kreditimit, indikatorët e ndjesisë ekonomike të bizneseve dhe konsumatorëve, si edhe të ardhurat nga taksat sugjerojnë një rritje të mëtejshme në tremujorin e dytë dhe të tretë, si pasojë e rritjes së konsumit, investimeve dhe eksporteve.

Punësimi u rrit me 4.4% në tremujorin e parë 2023. Rritja e pagave dhe punësimi incentivuan pjesëmarrjen e krahut të punës (mosha 15+) në punësim, e cila arriti në 64% në tremujorin e parë 2023, shifra më e lartë që nga viti 2019. Nisur nga rritja e fortë e GDP-së për frymë në vitin 2023, varfëria projektohet të zbresë me 1.9%, duke arritur në 22.2%.

BB parashikohet që rritja ekonomike të jetë 3.6% në vitin 2023, nisur edhe nga kushtet financiare ndërkombëtare. Megjithatë, rritja e aktivitetit të turizmit dhe ndërtimit pritet të shtyjë përpara eksportet, konsumin dhe investimet në vlera të përafërta me periudhën para pandemisë. Borxhi publik pritet të zbresë në nivelin 63.1% e PPB-së në vitin 2023 dhe projektohet të zbresë edhe më shumë në afatmesëm, si pasojë rritjes së lartë nominale dhe reduktimit gradual të defiçitit fiskal, parashikon në raportin e fundit Banka Botërore.

/ata.gov.al