Banka Europiane, 3 milion euro investim për veriun e Shqipërisë

28

Banka Europiane e Investimeve (BEI) dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi prej 200.000 euro për asistencë teknike për përgatitjen e një programi rajonal investimesh në Veri të Shqipërisë.

Ky është hapi i parë i një programi më të gjerë asistence teknike, që do të zbatohet në partneritet me FSHZH-në për të mbështetur rajonin me një vlerë deri në 3 milionë euro.

Asistenca teknike do të përfshijë vijën bregdetare të Adriatikut midis Shëngjinit dhe Velipojës, bregun e liqenit të Shkodrës, lumin Buna dhe portën e Koplikut në Alpet shqiptare, si dhe një pjesë të territoreve të bashkive të Shkodrës, Lezhës dhe Malësisë së Madhe.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, BEI do të asistojë FSHZH për përcaktimin e strategjisë së turizmit të integruar dhe përmirësimit urban të Portës Bregdetare të Alpeve, marrjen në konsideratë të aseteve natyrore dhe potencialet e zonës, si dhe çështjet mjedisore.

“Duke ndihmuar për hartimin e një programi investimesh në infrastrukturën publike bazuar në potencialin e turizmit rajonal dhe një analize të thelluar të mangësive në infrastrukturën ekzistuese, Banka do të kontribuojë në zhvillimin e potencialit të pashfrytëzuar të Shqipërisë së Veriut”, tha Alessandro Bragonzi, përfaqësuesi i BEI-t për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.