Shqiptarët e imunizuar plotësisht ndaj Covid-19 me vaksina të Pfizer, Moderna, Johnson&Johnson dhe AztraZeneca, shumë shpejt do të mund të udhëtojnë lirshëm drejt vendeve të Europës. Njoftimi vjen nga Komisionit Europian, që i propozoi vendeve anëtare të lehtësojnë kufizimet për udhëtimet jothelbësore për qytetarët e vendeve të treta, listë në të cilën bën pjesë dhe Shqipëria.
“Shtetet anëtare duhet t’u lejojnë udhëtimet për në BE atyre personave që kanë marrë, të paktën 14 ditë para mbërritjes, dozën e fundit të një vaksine të rekomanduar dhe që ka marrë autorizimin e marketimit në BE”, deklaroi Komisioni Europian.
Ndërkohë, vendi ynë ka përdorur 4 lloje vaksinash deri më tani, atë të Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe CoronaVac. Agjencia Europiane e Barnave, EMA, nuk ka dhënë ende një vlerësim për vaksinën kineze dhe atë ruse, megjithatë pranimin e tyre KE ua lë në dorë vetë shteteve të bllokut.
“Vendet anëtare mund ta zgjerojnë heqjen e kufizimeve edhe për ata që janë imunizuar me vaksina që kanë përfunduar procesin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për përdorim emergjent.”, deklaroi Komisioni Europian.
Gjithsesi BE pritet të miratojë edhe vaksinat ruse dhe kineze, çka tregon se të gjithë do kenë mundësi të udhëtojnë.