Bonusi i strehimit, Ministria e Zhvillimit Urban trajnon specialistët e bashkive.
Ministria e Zhvillimit Urban ka planifikuar për vitin 2016, fondin për bonus strehimi, duke ofruar mundësi strehimi për shtresat vulnerable, në afro dhjetë bashki të vendit.
Me qëllim të njohjes së bashkive me informacionin e nevojshëm dhe orientimin e tyre për zbatimin e bonusit të strehimit, në 26 maj, Drejtoria e Strehimit Social, në Ministrinë tonë, në bashkëpunim me UNDP, organizoi takimin “Bonusi për përballimin e qirasë – mjet për realizimin e programit të strehimit social”, ku morën pjesë specialistë të strehimit nga bashkitë Elbasan, Mirditë, Himarë, Korçë, Pogradec, Pukë, Lushnjë, Tiranë dhe Has.
Në takim u diskutua gjithashtu, rreth detyrimit të bashkive për planifikimin e fondeve për strehimin social, si dhe për mënyrën e aplikimit në Ministri, me qëllim përfitimin e fondeve për bonusin e strehimit, me synim plotësimin e nevojave të qytetarëve.
Zbatimi i legjislacionit dhe interpretimi i tij, i ilustruar me shembuj praktikë të mënyrës së trajtimit të rasteve të aplikimeve për strehim social, nëpërmjet programit të bonusit, ishte gjithashtu pjesë e diskutimeve të takimit. Në 7 qershor, do të organizohet seanca e dytë e takimit, në të cilën përfaqësuesit e bashkive pjesëmarrëse do të paraqesin kërkesat për mbështetje financiare, për përballimin e nevojës për strehim, nëpërmjet programit të bonusit të qirasë.
Burimi: Ministria e Zhvillimit Urban fb