Boronica, produkt i regjistruar “markë” shqiptare

87

Boronica konsiderohet një produkt i rëndësishëm për vlerat ushqyese dhe tregtare që përmban.Regjistrimi i saj si markë shihet si një nga komponentët kryesorë të rritjes së konkurrencës dhe zhvillimit të biznesit përmes rritjes së eksporteve. Sot fermerët po rrisin interesin për kultivimin e saj, duke parë këtë produkt me mjaft interes për rritjen e të ardhurave në familjet e tyre, angazhimin në punë dhe rritjen e sipërfaqeve të mbjellë me boronicë.

Sipas të dhënave nga Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, potenciali i kultivimit të kësaj bime në Shqipëri është shumë i lartë, veçanërisht në zonën e Tropojës, Kukësit, Dibrës dhe Pukës.

Rreth lumit të Gashit, një nga atraksionet natyrore më të bukura të Shqipërisë (pjesë e trekëndëshit ballkanik/zonë e mbrojtur e kategorisë së parë) ndodhet sipërfaqja më e madhe e boronicës së egër në vend. Në zonën e studimit (Qerem-Dobërdol) është përllogaritur një sipërfaqe me boronicë prej 700-800 hektarësh, e cila shfrytëzohet nga fermerë që merren me grumbullimin e këtij fruti të mrekullueshëm.

Kërkesa për produkte natyrale dhe specifikisht boronicën, është rritur gjatë viteve të fundit duke patur ndikim pozitiv në shëndetin e njerëzve. Konsumi i boronicës ndihmon sistemin kardiovaskular dhe konsiderohet si frut me përmbajtje të lartë antioksidantësh dhe ndikon kundër qelizave kancerogjene.

Përmbajtja e antocianinës totale në frutat e boronicës, në zonën e Lumit të Gashit, është më e lartë krahasuar me zonat e tjera të Shqipërisë, gjithashtu krahasuar edhe me vendet e rajonit që prodhojnë këtë frut.