Çesk Zadeja, themeluesi i muzikës shqiptare

1

Çesk Zadeja, njëri prej themeluesve të muzikës shqiptare, lindi në Shkodër më 8 qershor 1927.

U diplomua në Konservatorin “Santa Çiçilia” të Romës. Që në bankat e shkollës ka qenë këngëtar i korit dhe instrumentist i orkestrave shkollore dhe të qytetit.

Në vitet 1946-1947 ka drejtuar redaksinë e muzikës në Radio Tirana dhe më pas dirigjent i Ansamblit të Ushtrisë. Çesk Zadeja u bë i njohur dhe zuri një ndër vendet e korifeut të muzikës sonë pas përfundimit shkëlqyeshëm të Konservatorit “Çajkovski” të Moskës. Fill pas diplomimit ai përfundoi Simfoninë me të cilën fitoi çmimin e parë kombëtar.

Zadeja ka dhënë ndihmesën e tij si udhëheqës artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, si pedagog në Konservatorin e Tiranës, si udhëheqës artistik i Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë. Ai mban titujt “Artist i Popullit” dhe “Profesor”, si dhe ka merituar shumë urdhra dhe çmime. Sot e kësaj dite disa veprimtari kombëtare muzikore mbajnë emrin e tij. Një vit më parë Çesk Zadeja u nderua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, me titullin e mirënjohjes “Nderi i Akademisë”.

Titulli i lartë u akordua me motivacionin “Personalitet unik në historinë e muzikës shqiptare, që hodhi themelet e shkollës kombëtare të saj; me kontribute të shquara si ideator, realizues dhe drejtues institucionesh qendrore universitare dhe kulturore; personalitet me vlera origjinale në art e kulturë”.

/ata.gov.al