Çmimi i “Arkitekturës Publike” merret nga Parku i ri Olimpik i Tiranës

81

Parku i ri Olimpik i Tiranës ka fituar çmimin e “Arkitekturës Publike Komerciale”, ku garoi krahas projekteve të tjera nga shtete si Austria, Qipro, Republika Çeke, Greqia, Kroacia, Italia, Hungaria, Turqia, Bullgaria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia Veriore, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Serbia.

Parku Olimpik është një kompleks modern që mbledh bashkë të gjitha strukturat zinxhir të sportit, federatat, peshëngritjen, mundjen, atletikën si dhe lojërat me dorë. Dushe, sauna, dhoma zhveshjesh të ndara, akomodim i veçantë për federatat, një fushë olimpike rreth 3 mijë metra katrorë, janë disa nga ambientet që përmban kjo strukturë e inauguruar në Qershor 2017.

Projekti i plotë përfshin godinën me ambiente dedikuar administratës, godinën e FSHF-së, pallatin e sportit, pishinën olimpike, fushë futbolli, basketbolli, volejbolli dhe tenisi, e gjitha e shtrirë në një sipërfaqe rreth 25 mijë m2.

Festivali i Arkitekturës së Evropës Juglindore shërben si një katalizator i reflektimeve rreth rëndësisë së arkitekturës në mjedis dhe vjen si një përgjigje ndaj sfidave bashkëkohore sociale. Qëllimi i festivalit është njohja e arkitektëve dhe e vendimmarrësve profesionistë me konceptet e reja të jetesës, teknologjive inovative, sistemeve të ndërtimit, shërbimeve dhe zgjidhjeve të avancuara.