AZHBR: 5 milionë euro për fermerët, hapen aplikimet për grante

63

Fermerët kanë nisur aplikimet e para për të përfituar mbështetje nga skema kombëtare e bujqësisë 2019, me një fond total prej 5 milionë euro.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR), bën të ditur se, aplikimi i parë është kryer në masën e bletarisë në Dibër. Ndërsa në 44 minutat e para të hapjes së procesit, janë bërë 64 aplikime.

AZHBR ka hapur sot aplikimet për të gjithë fermerët, me qëllim mbështetjen e tyre financiare për zhvillimin e sektorit.

Afro 4 milionë euro do të përdoren kryesisht për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve blegtorale e të peshkimit dhe uljen e kostove të prodhimit, nëpërmjet pagesave të kafshëve të matrikulluara, për dorëzimin e qumështit, si dhe për açuge dhe sardele të peshkuara, ndërsa një pjesë do të shkojë për mbështetjen e diversifikimit të aktiviteteve ekonomike në zonat rurale.

1 milionë euro të tjera do të shkojnë si grante për projektin “Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të ullirit”, dhe do të përdoret për shtimin e sipërfaqeve të mbjella me ullinj, përmirësimin e mekanizimit dhe rritjen e kapaciteteve të prodhimit të vajit të ullirit.

Këtë vit fermerët krahas fondit nga skemat kombëtare 2019, përfitojnë financim edhe nga programi IPARD II, thirrja e dytë e të cilit pritet të hapet pas disa muajsh.