“Daily Star”: Plazhet e Rivierës Shqiptare rivalizojnë Maldivet

0

Shumë nga destinacionet e preferuara të turistëve, si Greqia dhe Italia kanë rritur çmimet vitet e fundit, kështu që është koha për të zbuluar disa rajone më pak të njohura, shkruan Sophie Foster në të përditshmen angleze “Daily Star”.

Riviera e Shqipërisë, që përfshin vijën bregdetare të Adriatikut, është një vend i mrekullueshëm për pushime me plazhe mahnitëse me ujëra blu të kristaltë, hotele dhe fluturime të lira.

Shqipëria, e kufizuar në jug nga Greqia, ka rrëmbyer vëmendjen e britanikëve dhe nuk është për t’u habitur duke marrë parasysh rivierën e saj të mahnitshme.

Shumë turistë britanikë ndoshta nuk e kishin menduar kurrë të vizitonin Shqipërinë, por vendi ofron oferta të lira dhe plazhe mahnitëse që rivalizojnë Maldivet.

Ju mund të shijoni rrezet e diellit dhe temperaturat e ngrohta gjatë verës.

Riviera Shqiptare, e cila shtrihet në Adriatik, mund të rivalizojë Bregun e Amalfit në Itali ose ishujt grekë falë detit të saj të kristaltë bruz dhe rërës së bardhë.

Pra, ia vlen të vizitoni disa nga pikat më të bukura turistike nëse dëshironi të kaloni pushimet në një destinacion me kosto të ulët, por në të njejtën kohë edhe mahnitës.

Një nga zonat më magjepsëse të Rivierës Shqiptare është Ksamili, i cili është krahasuar me Karaibet nga vizitorët.

Fshati ndodhet në jug të Shqipërisë brenda Parkut Kombëtar të Butrintit dhe ofron gjithçka që mund të dëshironi për pushime.

Zonat me bukuri të jashtëzakonshme përfshijnë ishujt e Ksamilit, të cilët mund t’i vizitoni duke udhëtuar me varkë dhe të endeni mes porteve për të parë detin Jon të pastër kristal.

Ata që dëshirojnë të akomodohen në një vilë do të duhet të paguajnë rreth 100 paund për një qëndrim pesë netësh.

Një dhomë në një hotel në Ksamil, midis majit dhe qershorit, kushton 131 paund për pesë netë.

Ksamili nuk është i vetmi qytet i mrekullueshëm për të shijuar Rivierën Shqiptare.

Saranda është kryeqyteti jozyrtar i rajonit i cili ndodhet pikërisht pranë kufirit grek.

Qyteti është plot me shëtitore, ballkone me pamje nga deti dhe klube nate buzë detit. Plazhi kryesor ofron ujëra të pastër kristal.

Palasa në Rivierën Shqiptare ka plazhin më të mirë në vend, i cili është krahasuar me Maldivet nga pushuesit e huaj.

Qyteti i vogël turistik njihet për rërën e bardhë, motin e nxehtë, restorantet dhe baret relaksuese buzë plazhit.

Palasa, është parajsa mbi tokë, të gjithë në botë duhet ta vizitojnë këtë gji me ujërat blu kristal te ngjashme me Maldivet.

/ata.gov.al